English

T’u kujtojmë udhëheqësve të drejtat e njeriut

“Ne do të vazhdojmë t’u kujtojmë udhëheqësve përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve bazuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Për të mbështetur këtë, unë i kam kërkuar ambasadave tona që të hapin dyert e tyre për aktivistët e të drejtave të njeriut sot për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të treguar mbështetjen tonë”.

Nga Hilari Klinton*

Kur Eleonor Ruzvelt paraqiti Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut para Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ajo deklaroi: "Ndodhemi sot në prag të një ngjarjeje të madhe, si në jetën e Kombeve të Bashkuara, ashtu dhe në jetën e njerëzimit." Më 10 Dhjetor 1948, bota njohu dhe mbrojti të drejtat e patjetërsueshme të të gjithë njerëzve, individëve frymëzues në mbarë botën për të kërkuar të drejtat që janë trashëgimia jonë e përbashkët.

Unë dëshmoj vepra të vogla dhe të mëdha kurajoje çdo ditë në çdo pjesë të botës. Liu Xiaobo, fituesi i Çmimit Nobel për Paqen këtë vit, ndihmoi në krijimin e Charter '08 që bënte thirrje për reforma politike paqësore në Kinë dhe humbi lirinë e tij për këtë shkak. Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut, unë përsëris thirrjen tonë për lirimin e tij të menjëhershëm.

Diku tjetër, grupi Damas de Blanco është përballur me persekutim dhe kërcënime gjatë fushatës për lirimin e të burgosurve politikë, duke fokusuar vëmendjen ndërkombëtare në situatën e pafavorshme të të drejtave të njeriut. Magodonga Mahlangu dhe organizata e saj, “Gratë e Zimbabves Ngrihen”, vuajnë arrestime dhe abuzime ndërsa vazhdojnë punën për të fuqizuar gratë për mobilizimin dhe ndërmarrjen e veprimeve jo të dhunshme kundër padrejtësive.

Qytetarë heronj nga të gjitha fushat e jetës marrin forcë dhe shpresë nga premtimi që çdo vend në botë ka bërë me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Puna e këtyre aktivistëve për të “riafirmuar besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e njeriut”, dhe kurajoja e tyre për të ngulmuar, është provë e gjithçkaje të njerëzimit që është e mirë.

Plot 62 vjet pasi Eleonor Ruzvelt shtroi ato gjashtë parime të qarta, të paprekshme, ne sot qëndrojmë përsëri në një prag, pasi nevoja për të mbështetur shoqërinë civile është bërë sërish një nevojë e ngutshme.

Një shoqëri civile energjike është një përbërës thelbësor i vendeve të lira, dhe megjithatë shumë qeveri vazhdojnë të përdorin kërcënimin, praktika ligjore të dyshimta, kufizime, ndalime, dhe injorim të qëllimshëm ndaj zërave të atyre që mbrojnë të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj promovimit dhe mbrojtjes së shoqërisë civile në botë. Dhe ne do të vazhdojmë t’u kujtojmë udhëheqësve përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve bazuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Për të mbështetur këtë, unë i kam kërkuar ambasadave tona që të hapin dyert e tyre për aktivistët e të drejtave të njeriut sot për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të treguar mbështetjen tonë.

Deklarata ka qenë prej kohësh një fanar për ata që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njohura ndërkombëtarisht. Sot, dhe çdo ditë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të atyre që janë përkushtuar për ta kthyer në realitet për të gjithë njerëzit vizionin e ngulitur në Deklaratë. Ne i bëjmë thirrje çdo vendi që të bashkohen me ne për të punuar për përmbushjen e premtimit të Deklaratës, në vend dhe jashtë tij.

*Fjalim i Sekretares së Shtetit të SHBA Hilari Klinton në Ditën e të Drejtave të Njeriut
KOMENTE