Durrës, 10 dhjetor, NOA – Një grua e shqetësuar ka kryer një denoncim pranë Komisariatit të Policisë së Krujës se i kishin vjedhur në shtëpi, shumën e 180.000 lekëve.
Menjëherë pas kësaj, forcat e policisë kanë nisur të hetojnë mbi pistat se kush mund t’i kishte shkuar asaj në shtëpi për të vjedhur dhe ka rezultuar i çuditshëm fakti se mund të ketë qenë pikërisht e bija, ajo që ia ka gllabëruar ato fshehurazi.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së Krujës, duke pohuar se denoncuesja 51-vjeçare mban inicialet E.V., dhe është banuese në Krujë, ndërsa vajza e saj është 13 vjeçe.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana e policisë, rezultoi se kjo e fundit është autore e mundshme e kësaj vjedhje, pasi nga deklarimet e shokëve dhe shoqeve të saj, për një periudhë 1-mujore, ajo ka shpenzuar çdo ditë shuma te konsiderueshme parash në shkollë.
Po kështu, rezultoi se këtë vjedhje vajza 13-vjeçare e ka kryer në bashkëpunim edhe me tre persona të tjerë për të cilët po punohet për t’i identifikuar.
Materialet proceduriale për veprën penale te “Vjedhjes në bashkëpunim”, iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.
n.e/NOA