English

Vodhi kishën në mes të Përmetit, hidhet në Vjosë për t’i shpëtuar policisë

Përmet, 10 dhjetor, NOA – Pasi shqeu derën e kishës “Shënmëria” në qendër të qytetit të Përmetit dhe vodhi nga kasaforta e saj lekë e një unazë floriri të dhuruar prej besimtarëve, u hodh në lumin Vjosa për t’iu shpëtuar policisë.

Kjo është ngjarja e cila ka tronditur qytetin e vogël juglindor, ndërsa forcat e policisë kanë mundur ta vënë në pranga agresorin e kishës së tyre, duke konfirmuar për agjencinë e Lajmeve NOA se ai njihej si hajdut kishash dhe banesash.

Konkretisht, mësohet se ai është Arben Muskonja, 33 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Beratit, i dënuar më parë me dy vjet burg për disa vjedhje banesash dhe të kishave në Korçë.

Arrestimi i tij u bë për arsye se është parë nga qytetarët që të hynte me forcë në kishën “Shënmëria” e cila ndodhet në qendër të qytetit Përmet, duke shqyer derën e saj me forcë.

Menjëherë, forcat e policisë së Përmetit kanë shkuar në drejtim të kishës, por ai sa i ka parë, ka dalë nga dritarja e pasme e kishës dhe është larguar me vrap.

Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe ky shtetas për t’i shpëtuar policisë është hedhur në lumin Vjosë për të kaluar në krahun tjetër por s’ka mundur dot të largohet pasi është rrethuar nga policia dhe është arrestuar.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se ai kishte shqyer kasafortën e kësaj kishe ku kishte marrë një shumë të konsiderueshme lekësh dhe Euro si dhe një unazë prej floriri të dhuruara prej besimtarëve.

Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet hetimore, u bë arrestimi i tij për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal dhe materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme .

n.e/NOA

KOMENTE