Laç, 11 Dhjetor 2010 NOA - Nga Forcat Speciale RENEA në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, ditën e sotme, në sajë të operacionit të koduar “Arbusto 2”, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Astrit Bushi, 32 vjeç, banues në Laç, i njohur si person me rrezikshmëri të lartë.
Në momentin e arrestimit këtij shtetasi i është gjetur dhe bllokuar një armë zjarri pistoletë, tip Bereta.
Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në qytetin e Laçit, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme fishekësh.
Astrit Bushi, gjatë operacionit për arrestimin e tij ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë, duke goditur me mjetin e tij 2 automjetet e forcave RENEA dhe rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë.
Në lidhje me Bushin, është në proçes një kërkesë për ekstradim nga autoritetet spanjolle, për veprën penale të “vjedhjes me dhunë“ të kryer në këtë vend, si dhe një kërkesë tjetër për ekstradim nga autoritetet italiane për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizata kriminale, me qëllim importimin e sasive të mëdha të drogës“, të kryer në Itali.
Sakaq, ndaj të riut Astrit Bushi vazhdojnë hetimet nga strukturat e Policisë së Shtetit, pasi akuzohet dhe për krime të tjera të rënda, ndër të cilat dhe vrasjen e një punonjësi policie ndodhur në qytetin e Laçit.
Me cilësinë e provës materiale nga strukturat e policisë u sekuestruan:
- një pistoletë tip Bereta me një krehër me 15 fishekë,
- mjeti tip Benx Mercedes, S 350, me targë Tr 0544 T,
- 5 aparate celularë të llojeve të ndryshme, etj.
Materialet procedurale në ngarkim të 32 vjeçarit Astrit Bushi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kurbin, bëri të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
e.r/NOA