Preshevë, 11 dhjetor, NOA - Mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë protestuar të premten në Preshevë me moton: “Ndal dëbimit të trurit”, në një tubim të organizuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, dhe të përkrahur nga forumet rinore të të gjitha subjekteve politike shqiptare që veprojnë në këtë rajon.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, marshi protestues ndaj politikës
diskriminuese të Beogradit zyrtar, për mosnjohjen e diplomave të fituara në Universitetin e Prishtinës, ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtare dhe i gjuhës amtare, largimi i vazhdueshëm i popullatës dhe shumë çështje të hapura bënë që kjo protestë të përkrahet nga më se 50 organizata joqeveritare.
Kryetar i KDNJ-së në Luginë, Belgzim Kamberi, duke folur para protestuesve dhe gazetarëve, theksoi se “mesazhi për qeverinë serbe është i qartë, sepse ky problem
nuk është vetëm i qindra të rinjve të diplomuar dhe mijëra maturantëve, studentëve që janë duke studiuar, por është problem i të gjithë shqiptarëve të Luginës, gjë për të cilën po shihet se sot të gjithë jemi bashkë, të përcaktuar dhe të vendosur deri sa të zgjidhjet kjo çështje nga Beogradi zyrtar.
Ndërsa, sipas kryetarit të Forumit Rinor të PVD-së, Ragmi Mustafa, njëherësh edhe përfaqësues i KDNJ-së, “kjo protestë paqësore ka për qëllim sensibilizimin e opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar për diskriminimin e vazhdueshëm shtetëror, që po bëhet ndaj intelektualëve shqiptarë, me mosnjohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës”.
Sipas Mustafës, edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Serbisë e ka përkrahur protestën, duke dashur që me këtë t`i bëjë një sfidë të madhe gjykatës dhe ta ngre në një çështje juridike.
Organizatorët e protestës së sotme, i kanë dorëzuar një letër përfaqësueses së BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, përmes së cilës kanë kërkuar zgjidhjen e problemeve të këtushme, ndërkohë që e kanë përkujtuar se “Presheva, Bujanoci e Medvegja nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë peng të dialogut midis Beogradit e Prishtinës zyrtare”.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat lidhur me mosnjohjen e diplomave do të ketë në vazhdimësi në forma të ndryshme, deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Protesta e sotme u ndoq nga një numër i madh i forcave serbe të sigurisë, por nuk u regjistrua asnjë incident.
NOA