A do të regjistrohen shqiptarët e Maqedonisë në prill të vitit të ardhshëm, apo një pjesë e madhe do të mbeten jashtë këtij procesi? Pas miratimit të ligjit për regjistrim, kjo dilemë tashmë është shndërruar në brengë, për shkak të hutisë që krijuan subjektet politike shqiptare.
Nga Bexhet Musliju*
E tërë hutia filloi me mënyrën e votimit të Ligjit për regjistrim dhe insistimi i mazhorancës që ky ligj të sillet në termin kohor, kur në Parlament nuk kishte përfaqësues të mediave.
Me këtë hap mazhoranca hodhi në ujë një pjesë të madhe të argumenteve të veta se ligji mundëson regjistrim real dhe objektiv. Sepse po të ishte kështu, parashtrohet pyetja pse shumica e ndryshoi rendin e ditës dhe u ngut që ligjin ta sjellë sa është e mundshme më larg syve të opinionit.
Megjithatë, pyetje kyçe është se çka do të ndodhë nëse një pjesë e shqiptarëve vendosin të bojokotojnë regjistrimin, ashtu siç ka ftuar Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit. A do të kenë rastin të regjistrohen në një regjistrim tjetër të jashtëzakonshëm të popullsisë? Maqedonia në vitin 1994 organizoi një proces të jashtëzakonshëm të regjistrimit, si rezultat i presioneve ndërkombëtare, pasi shqiptarët bojkotuan regjistrimin e vitit 1991. mirëpo është pikëpyetje e madhe se tani se ekziston gatishmëri te bashkësia ndërkombëtare që pas 20 viteve të bëjë sërish presion për prolongim të këtij regjistrimi, apo për një regjistrim të jashtëzakonshëm për shkak të pakënaqësive të shqiptarëve.
Për këtë arsye BDI si parti shqiptare në pushtet duhet të gjejë një mekanizëm të jashtëzakonshëm për rritje enorme të numrit të shqiptarëve në Entin Shtetëror për Statistika, para mbajtjes së regjistrimit, me qëllim që të ngushtohet sa më tepër hapësira për manipulim.
Nga ana tjetër opozita duhet të bëjë çmos që të mobilizojë, e jo të pasivizojë shqiptarët, për t’u regjistruar.
Meqë partitë nuk arritën ta realizojnë me ligj, sektori joqeveritar shqiptar në Maqedoni duhet të bëjë përpjekje të gjejë ndonjë formë për të monitoruar procesin e regjistrimit në Maqedoninë Lindore, për të evituar sadopak malverzimet që atje bëhen gjatë tërë kohës, me rritjen artificiale të numrit të Maqedonasve.
Shqiptarët e Maqedonisë mund të jenë 700.000, 800.000, e madje edhe një milion në Maqedoni, por fatkeqësisht akoma nuk e posedojnë kapacitetin politik e as vendimmarrës për t’i realizuar këto kërkesa.
Për këtë arsye Shqipëria dhe Kosova në mënyrë diplomatike duhet të ndërhyjnë në këtë situatë dhe t’i udhëzojnë shqiptarët e Shkupit se si është më mirë për ta që të veprojnë. Jo vetëm për shkak të autoritetit që gëzojnë zyrtarët e Tiranës dhe Prishtinës te shqiptarët e këtushëm, por edhe për shkak të kapacitetit që kanë për të bërë analiza se si duhet të veprojnë shqiptarët, qoftë brenda qoftë jashtë kufijve të tyre, në situata të ndryshme. Sepse numrat në Maqedoni nuk janë vetëm shifra statistikore, pro shumë ë tepër. Sepse për peshën e numrave në Maqedoni shqiptarët kanë derdhur edhe gjak.
Në këtë drejtim, zgjedhjet që do të mbahen të dielën në Kosovë dhe Qeveria që do të fromohet pas tyre duhet të fillojnë të vetëdijësohen se bashkë me Shqipërinë duhet të fillojnë të bartin barrën që I takon një shteti amë dhe të përkujdesen për pjesët e popullit shqiptarë të mbetura jashtë kufijve të dy shteteve shqiptare. Mirëpo një legjitimitet të atillë autoritet kosovare mund ta fitojnë vetëm në rast se dëshmojnë se posedojnë kapacitet të mjaftueshëm për të organizuar zgjedhje të rregullta dhe në përputhje me standardet e larta ndërkombëtare. Në të kundërtën Kosova do ta humbë të drejtën që të dërgojë çfardo vërejtje në adresë të Maqedonisë, Serbisë apo Malit të Zi për të respektuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore, në Luginën e Preshevës ose në Ulqin dhe Malësinë e Madhe.
Nuk do të them asgjë të re nëse përmend se shqiptarët në Ballkan janë të lidhur mes tyre, njësoj sikurse enët e gjakut.
Prandaj edhe qytetarët e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm se me votim dinjitoz dhe civilizues do të kontribuojnë jo vetëm për ardhmërinë më të mirë të Kosovës, por edhe për një ardhmëri më të mirë të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Sepse njësoj sikurse shqiptarët edhe serbët, maqedonasit e malazezët janë të lidhur mes veti sikurse enët e gjakut (sado që mohojnë një gjë të atillë) dhe një proces eventual zgjedhor me të meta në Kosovë, do të dinë ta shfrytëzojnë në formën më perfiude për të komprometuar jo vetëm shtetësinë e Kosovës dhe kosovarët, por gjithë shqiptarët në Ballkan.
*Themelues i portalit informativ “Zhurnal” – Shkrim i dërguar nga autori