Beograd, 11 dhjetor, NOA – Deri tani ka qenë një nga përfaqësuesit kyç të Serbisë në arenën ndërkombëtare, por këtë gjë do të ketë mundësi ta bëjë vetëm gjatë kësaj jave, pasi pas datës 18 dhjetor nuk do ta ketë më të mundur zyrtarisht.
Fjala është për ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, mbi të cilin mediat serbe kanë publikuar sot lajmin se ai do të qëndrojë vetëm një javë në këtë post.
Ndërkaq, ato kanë publikuar edhe emrin e pasardhësit të tij, i cili mendohet të jetë drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme Serbe, Borko Stefanoviç.
Mediat serbe aludojnë më tej, duke pohuar se shkak për ndërrimin e Jeremiçit mund të jetë bërë bojkotimi i Serbisë ndaj ceremonisë së ndarjes së çmimit “Nobel” për Paqe.
Pa harruar as pakënaqësinë e shkaktuar nga paraqitja e rezolutës serbe për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
n.e/NOA