English

Konfindustria: Furnizimi me energji elektrike dhe kontrata me CEZ e papranueshme

Tiranë, 12 dhjetor, NOA – Në kuadër të Forumit Akademik me temë “Vlerësimi Ligjor i Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike të Biznesit” i mbajtur nga Konfindustria në bashkëpunim me Universitetin e Tirana Bisnes kanë shprehur shqetësimin në rritje të biznesit për cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga CEZ Shpërndarje. Ballafaqimi akademik u zhvillua në vazhdimësi të nismës, që Konfindustria ka ndërmarrë prej mbi 1 vit më parë për domosdoshmërinë e përmirësimit të kontratës së furnizimit me energji elektrike për bizneset.

Një veprim i tillë bëhet veçanërisht i domosdoshëm në kushtet kur sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri ka kaluar në pronësi private në kushte të pastra monopoli duke filluar nga viti 2009.

Sipas Konfindustrisë ndërkohë, për një periudhë 3 vjeçare është zgjidhur garantimi i sasisë së furnizimit me energji elektrike, ka shqetësime të shumta për cilësinë e furnizimit ku përmendet: niveli, luhatjet e tensionit, ndërprerjet e shpeshta dhe të papritura, etj. Mbështetur në studimin e kryer nga Konfindustria për kostot ekonomike të shkaktuara nga cilësia e furnizmit me energji elektrike del, se në 10 mujorin e parë të vitit 2010 për sektorin industrial dëmi i përllogaritur në lënde të para, procese teknologjike, makineri dhe pajisje të dëmtuara si dhe koha e shpenzuar tejkalon shifrën prej 23 milion euro.

“Nëse kihet parasysh, se studimi është shtrirë vetëm në 8 sektorë dhe vlerësojmë, që dëmet shtrihen edhe sektorë të tjerë industriale, bujqësore, në biznesin e vogël si dhe në konsumatorët familjare del, se kemi të bëjmë me kosto me shifra mjaft të rënda për ekonominë kombëtare. Ndërkohë mbështetur në kontratën në fuqi bizneset janë krejtësisht të pambrojtur me furnizuesin e energjisë elektrike CEZ Shpërndarje”, tha administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Përfaqësuesit e botës akademike vlerësuan dhe arsyetuan, se termat ligjorë më të rëndësishëm të Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike për Bizneset nuk janë në përputhje jo vetëm me standartet e vendeve të zhvilluara të BE-së, por edhe me vetë legjislacionin shqiptar në fuqi.

Sipas tyre duhet detyrimisht të përmirësohet Kontrata e Furnizimit me Energji Elektrike nga Enti Rregullator i Energjisë për të dhënë mundësinë ligjore në mbartjen e detyrueshme të kostove financiare shtesë të krijuara për industritë e bizneset nga dëmet për shkak të cilësisë së furnizimit me energji elektrike drejt dhënësit të furnizimit në këtë rast CEZ/Shpërndarje.

Përfaqësuesit e ERE-s mbështetën në parim shqetësimet e Konfindustrisë dhe arsyetimet e akademikëve dhe theksuan, se ka filluar procesi përgatitor i përmirësimit të Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike.

Gjendja e furnizimit me energji elektrike dhe kontrata në fuqi u pranua nga të gjithë se është e papranueshme, andaj në forum u kërkua bashkëpunim me Konfindustrinë dhe botën akademike me qëllim arritjen e standarteve të vendeve të BE-së në miratimin e Kontratës së re.

mit/NOA
KOMENTE