English

Kongresmeni Koni Mak u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë (VIDEO)

Uashington, 11 Dhjetor 2010 - Kongresmeni Koni Mak u bëri sot thirrje njerëzve në Kosovë që të shkojnë e të votojnë dhe theksoi gjithashtu se vala e njohjeve të shtetit të ri është e pashmangshme.

Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, z. Koni Mak i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet në Kosovë janë një rast i mirë që liria dhe demokracia atje të përparojnë më tej.

Kongresmeni Koni Mak ka lidhje të ngushta me Kongresin amerikan. Ai vetë është anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, bashkëshortja e tij, Meri Bono Mak është gjithashtu anëtare ndërsa i ati, Koni Mak i Treti, ka qenë senator.

Koni Mak thotë se nuk ka qenë ndonjëherë në Kosovë, por si anëtar i komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë i ka ndjekur me vemendje zhvillimet atje dhe beson se zgjedhjet e 12 dhjetorit janë një rast që demokracia në shtetin e ri të rritet më tej.

“Mendoj se të gjithë duhet të dalin për të votuar dhe të marrin pjesë në qeverisje. Jam shumë krenar për drejtimin që i ka dhënë vendit Kryeministri Thaçi. Për hir të lirisë dhe demokracisë, mbajtja e zgjedhjeve të lira e të drejta në Kosovë do të ishte një demonstrim i shkëlqyer për vendet e tjera të botës, që do të tregonte se ideja e lirisë dhe demokracisë funksionon, se njerëzit e duan atë dhe kur atyre u jepet rasti, duhet ta shfrytëzojnë në maksimum këtë rast.”

Kongresi amerikan ka sot një sërë përparësish të tjera siç janë zhvillimet në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme.

“Ka kaq shumë çështje të rëndësishme në botë, por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është e rëndësishme. Iraku dhe Afganistani janë me rëndësi. Unë vetë harxhoj shumë kohë me problemet e Hemisferës Perëndimore, si me ato që kanë të bëjnë me Hugo Çavezin e Venezuelës. Por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është me rëndësi. Demokracia dhe pavarësia atje janë diçka e gëzueshme që duhet t’ja tregojmë botës.”

Kongresmeni Koni Mak beson se gjithnjë e më tepër vende do ta njohin Kosovën dhe, nëse Serbia nuk ndjek shembullin e të tjerëve, ajo do të mbetet vetëm.

“Ky është problem i tyre. Nëse Kosova vazhdon të luftojë për liri dhe demokraci, ajo do të marrë të gjitha njohjet që i duhen.”

{youtube}4emGOcXBL4c{/youtube}

KOMENTE