Shkodër, 11 dhjetor, NOA – Në ditën e dhjetë të përmbytjeve në Shkodër, kur situata e përmbytjes së qarkut është përmirësuar disi me uljen e nivelit të ujit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli që ka ndjekur hap pas hapi operacionet në terren dhe është takuar me banorët e përmbytur, bëri me dije se rishtas situata vazhdon të mbetet e komplikuar për shkak dhe të uljes së ndjeshme të temperaturave. “Megjithëse ka një ulje modeste të largimit të ujit të liqenit nga rrugët e qytetit, duke kaluar sot edhe njëherë në hyrje të Shkodrës, është një situatë jashtëzakonisht e rëndë, pasi liqeni ka dëmtuar të gjitha dyert, xhamat e dritareve, të lokaleve, dyqaneve në pazarin e vjetër, e në hyrje të qytetit. Është një gjendje e trishtuar, të cilësd i shtohet edhe ulja e temperaturave, që e bën më të rëndë dhe më të komplikuar situatën”, deklaroi kryeparlamentarja Topalli.
Në këtë kontekst ajo përcolli një falenderim të veçantë për qytetarët e thjeshtë, që gjatë këtyre ditëve kanë kontribuar me atë që kanë patur në shtëpi, me rroba, ushqime, dërgesa financiare, që sipas saj kanë një vlerë edhe më të madhe e mbërritur gjatë kësaj periudhe.
Kryetarja e Kuvendit veçanërisht është interesuar sot për skemën e re të shpërndarjes së ndihmave nga pushteti lokal, për banorët e evakuuar dhe të strehuar në konvikte, si dhe për operacionet e shpërndarjes së ndihmave në fshatrat që gjendet ende të rrethuar nga uji, ku banorët nuk kanë dashur të lënë shtëpitë e tyre për t’iu përgjigjur thirrjes për evakuim.
Ajo theksoi se kjo skemë i vjen në ndihmë mirëmenaxhimit të shërbimit ndaj të gjithë banorëve që kanë nevojë të ngutshme dhe i kanë sytë nga shteti.
“Tashmë Gjadri do të shërbejë si bazë magazine e fuqishme, për të shpërndarë ndihmat në të gjitha komunat e Shkodrës. Kjo qendër është hapur posaçërisht prej pak ditësh, ajo është vetëm në dispozicion të Bashkisë të Shkodrës, e cila me këtë skemë të re e ka më të lehtë që qumështin, miellin, bukën e të gjitha paketat ushqimore apo ndihma të tjera, të vendosura këtu, ta nisë drejt konvikteve për të furnizuar me ushqim banorët e evakuuar.
Ajo theksoi se kujdes i veçantë po tregohet për fëmijët e vegjël, duke informuar se qumështi po shpërndahet, sipas të gjitha statistikave dhe listave për çdo fëmijë kudo që ndodhet ai, qoftë në lagjet e rrethuara nga uji, qoftë në shtëpitë e përmbytura, apo konviktet, ku janë të vendosur banorët.
“E gjithë Shqipëria, gjithë kombi, çdo shqiptar këtu dhe në Kosovë është duke dërguar ndihmë dhe, siç e shikoni një pjesë e pakove të mëdha kanë ardhur nga Kosova, gjatë gjithë këtyre ditëve, kanë ardhur edhe sot. Kjo tregon që ne shqiptarët, në ditë të vështira jemi një”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
mit/NOA