English

Nëntë vjet pas 11 shtatorit

Bin Laden e ka parë organizatën e tij relativisht të vogël por aspak anonime të disa qindra fanatikëve duke u shndërruar në markën më të njohur ndërkombëtare që nga McDonald's. A ka mundur ndonjë armik i Shteteve të Bashkuara të arrijë më shumë me më pak?

Nga Ted Koppel

Sulmet e 11 shtatorit 2001 patën sukses shumë më të madh sesa që Osama bin Laden ka mundur të parashikonte. Jo vetëm për shkak se sulmet rezultuan me afro 3.000 të vdekur, e as vetëm për shkak se goditën në zemrën e fuqisë financiare dhe ushtarake amerikane. Këto rezultate ishin vetëm grepi - do të mbetej Shteteve të Bashkuara që ta aktivizonin kurthin.

Qëllimi i çdo sulmi të organizuar terrorist është që ta nxis një armik shumë më të fuqishëm të reagojë me tepri. Gjatë nëntë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gabuar dhe janë kapur në kurthin e 11 shtatorit, duke bërë një reagim të tepruar pas tjetrit. Bin Laden meriton të jetë objekt i armiqësisë, ankthit kombëtar dhe urrejtjes sonë. Ai meriton të merret seriozisht si një strateg i urtë. Por, ne e kemi bërë - dhe vazhdojmë ta bëjmë - pjesën më të madhe të suksesit të tij ndaj nesh. Bin Laden nuk e meriton që ne, edhe pa dashje, t’ia përmbushim aq shumë ëndrrat e tija të paimagjinuara.

Nuk ka qenë e thënë të ndodhte kështu. Përgjigja fillestare e administratës së Bushit ishte shumë e drejtë. Kombinimi i kalibruar i operativëve të CIA’s, forcave speciale dhe fuqisë ajrore, i theu talibanët në Afganistan dhe dëboi bin Ladenin dhe mbetjet e al-Qaedës me turravrap përtej kufirit për në Pakistan. Reagimi amerikan ishte i shpejtë, i fuqishëm dhe efektiv - një paralajmërim i qartë për çdo organizatë që mendon për një sulm tjetër terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është pika në të cilën Presidenti George W. Bush do të duhej ta kishte shpallur "Përfundimin e Misionit", me vërejtjen se agjencitë e papërcaktuara amerikane dhe degët e ushtrisë do ta vazhdonin ndjekjen e udhëheqësit të al-Qaedës. Bota do ta kishte kuptuar këtë, ndërsa shumica e amerikanëve me gjasë do të kishin mbetur të kënaqur.

Rreziku i terrorizmit është se nuk lejon siguri absolute. Secili incident provokon mendimin se diçka edhe më e keqe do të vijë. Administrata e Bushit e kishte bindur veten se mendjet që kishin komplotuar për t’i shndërruar aeroplanët me pasagjerë në raketa balistike mund të zbulonin mjete për t’i pajisur "raketat" e tilla me mbushje kimike, biologjike apo bërthamore. Ky u bë një ankth ekzistencial që çoi, në mënyrë të shpejtë, në rritjen e supozimeve të parëndësishme: se Saddam Hussein kishte zhvilluar armë të shkatërrimit në masë, duke përfshirë edhe armët bërthamore, dhe se ka pasur një lidhje në mes të udhëheqësit të Irakut dhe al-Qaedës.

Bin Laden nuk kishte të bënte asgjë me nxitjen e këtyre keqkuptimeve. Asnjë nga këto nuk kishte ndonjë lidhje reale me 11 shtatorin. Asokohe nuk ekzistonte grupi i njohur si "al-Qaeda në Irak". Por, klima politike e momentit tejkaloi akëcilën opozitë të dobët që e kundërshtonte pushtimin e Irakut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës marshuan në teatrin e dytë të luftës, i cili do të tregohej shumë më i vështirë, më i dhimbshëm dhe më i lodhshëm sesa që kishin parashikuar mbështetësit e tij.

Presidenti Obama pak kohë më parë shpalli përfundimin e rolit luftarak të Amerikës në Irak, dhe e përmendi shkarazi mundësinë që dhjetëra mijëra trupa amerikane të mbeteshin atje, ndoshta edhe për disa vjet tjera, sepse Irakut i mungon potenciali ushtarak për ta mbrojtur veten kundër agresion të jashtëm (lexo: iranian). Ironia më e madhe është se Saddam Hussein, me qëllim të mbajtjes së fqinjëve të tij nën kontroll, i shtyri ata bashkë me pjesën tjetër të botës të besojnë se mund të kishte armë të shkatërrimit në masë. Ai kësisoj e solli shkatërrimin e tij, si dhe nevojën që forcat amerikane të mbushnin zbrazëtinë të cilën ai dhe prania e tij frikësuese e plotësonin më parë.

Sa i përket 100.000 trupave amerikane të cilat janë brenda, ose janë drejtuar për në Afganistan, shumë prej tyre do të jenë aty në vitet e ardhshme - jo për shkak të angazhimit të Amerikës për një demokraci funksionale, e aq më pak për shkak të asaj që do të ndodhë me vajzat dhe gratë afgane në qoftë se talibanët e rimarrin kontrollin. Kjo ka të bëjë me armët bërthamore. Pakistani ka një arsenal prej 60-100 mbushjeve bërthamore. Është e tepërt të flitet për pasojat nëse ndonjëra prej tyre bie në duart e aleatëve të al-Qaedës dhe fundamentalistëve në Pakistan.

Prapëseprapë, kjo dilemë është pjesërisht produkt i yni. Lufta e Amerikës kundër terrorizmit në tërë Pakistanin perceptohet gjerësisht si luftë kundër islamit. Fundamentalizmi muskuloz islamik i atjeshëm është duke fituar terren dhe duke e kërcënuar stabilitetin e Qeverisë, në të cilën varemi për garantimin e sigurisë së armëve bërthamore. Prania e fuqishme ushtarake e SHBA’ve në Pakistan është e paqëndrueshme për Qeverinë në Islamabad, megjithatë, dhjetëra mijëra trupa amerikane kanë gjasa të mbeten të parkuara në vendin fqinj të Afganistanit për një kohë të konsiderueshme.

Mbase bin Laden i kishte parashikuar disa prej këtyre rezultateve kur filloi operacionin e tij të 11 shtatorit nga bazat në Afganistan, që ishin të siguruara nga talibanët. Pasi popujt të cilët janë në shënjestër të grupeve terroriste në mënyrë rutinore i braktisin disa nga parimet e tyre të dashura, ai gjithashtu mund të ketë parashikuar Abu Ghraibin, transferimet e jashtëzakonshme nga një shtet në tjetrin, madje edhe burgun në Gjirin e Guantanamos. Por, në këto zhvillime dhe në shumë tjera, bin Laden ka pasur nevojë për bashkëpunimin tonë të pavetëdijshëm, të cilin ne ia kemi dhënë - më shumë se një bilion dollarë të shpenzuar në dy luftëra, më tepër se 5.000 trupa amerikane të vrara, dhjetëra mijëra irakianë dhe afganë të vdekur. Ushtria jonë është e zgjeruar tej mase, saqë njëra nga industritë e pakta që kanë pasur rritje në ekonominë tonë është ajo e kompanive që ofrojnë kontraktues privatë për çdo gjë, prej marrjes në pyetje e deri te siguria dhe mbledhja e informatave për shërbimet e inteligjencës.

Ne kemi nxituar për në Afganistan dhe Irak, kurse kohëve të fundit edhe në Jemen dhe Somali. Ne kemi krijuar një aparat të fryrë të sigurisë kombëtare. Ne jemi aq të zhytur në tërbimin tonë dhe aq harrestarë për synimet e armikut tonë, prandaj e pompojmë ndërtimin e qendrës islamike në Manhattan në debat kombëtar dhe shikojmë, pafuqishëm, derisa një pastor në Florida i zemëron edhe miqtë tanë në botën islame, duke kërcënuar se do të djeg ekzemplarë të Kur’anit.

Nëse bin Laden nuk i kishte parashikuar të gjitha këto, atëherë ai shpejt do ta ketë kuptuar situatën. Në një video mesazh të vitit 2004, ai u mburr për dërgimin e Amerikës në rrugën drejt vetëshkatërrimit. "E tëra që duhet të bëjmë është t’i dërgojmë dy muxhahedinë që ta ngrisin një copë të vogël cohe në të cilën shkruan ‘al-Qaeda', pastaj gjeneralët e tyre do të bëjnë gara, ndërsa Amerikës do t’i shkaktojmë vuajtje njerëzore dhe humbje ekonomike e politike".

Nëpërmjet shpenzimeve fillestare prej disa qindra mijëra dollarëve, trajnimit dhe pastaj sakrifikimit të 19 ushtarëve të tij, bin Laden e ka parë organizatën e tij relativisht të vogël por aspak anonime të disa qindra fanatikëve duke u shndërruar në markën më të njohur ndërkombëtare që nga McDonald's. A ka mundur ndonjë armik i Shteteve të Bashkuara të arrijë më shumë me më pak?

A ka mundur bin Laden në imagjinatën e tij më të bujshme të shpresojë në provokimin e një kaosi kaq të madh? Është koha e fundit të reflektojmë për atë që ka kërkuar - dhe ende kërkon – të arrijë armiku ynë, dhe për mënyrën në të cilën ne e kemi ujdisur atë.

“The Washington Post”

KOMENTE