Tiranë, 11 Dhjetor 2010 NOA – Zbardhet plotësisht ngjarja te “Fresku”, kapen dhe dy të dyshuar për krimin. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Lirisë së Personit dhe Shëndetit, pranë Policisë së Tiranës, kryen sot pasdite arrestimin në flagrancë të një polici dhe një të riu tjetër, të cilët shihen si të përfshirë në përleshjen me armë që ndodhi po siot në hyrje të Dajtit, pranë lokalit “Fresku”.
Burime zyrtare policore konfirmuan për agjencinë NOA se u arrestuan Ylli Ceka, 41 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë punonjës policie, pranë Repartit 712 në Tiranë dhe Julian Pusha, 30 vjeç, gjithashtu me banim në Tiranë.
Vala e arresteve erdhi pasi ditën e sotme rreth orës 15.00 në vendin e quajtur “Fresku”, pranë një pallati në ndërtim së bashku me dy vëllezërit e tij, ka tentuar të vrasë me armën e shërbimit pas një konflikti, 35 vjeçarin Edvin Vogli, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Fillimisht dyshohet se, grindja ka ndodhur për motive pronësie, ku autori i dyshuar Ylli Ceka së bashku me dy vëllezërit e tij, janë konfliktuar me të dëmtuarin, ku ky i fundit ka plagosur me sende të forta duke e plagosur vëllain e autorit, Bashkim Ceka, 44 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes menjëherë, shkuan forca të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, si dhe oficerë Kundër Krimeve ndaj Lirisë së Personit dhe Shëndetit, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe po sqarojnë më tej rrethanat e kësaj ngjarje.
Ndaj autorit të dyshuar, Ylli Ceka, është marra masa e arrestit në flagrancë, për konsumim të veprës penale të “Tentativës së vrasjes”, ndërkohë që është marrë edhe masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” ndaj shtetasit Julian Pusha, 30 vjec, me banim në Tiranë, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka plagosur me sende të forta, Bashkim Ceka (vëllai Y.Ceka).
Policia tha se materialet e përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.
e.r/NOA