English

Situata, niveli i ujit në Shkodër bie 10-20 cm

Shkodër, 11 dhjetor, NOA – Burimet e Prefekturës së Shkodrës bëjnë me dijeni se përsa i përket nivelit të ujërave, ka një rënie nga 10 deri ne 20 cm. Vazhdojnë të jenë të përmbytura zonat e Kirasit, Livadeve dhe lagjet Manush Alimani, Salo Halili, Ahmet Haxhija, Ajasem, Iliria, Bohçallek dhe pjesërisht lagjia Shirokë.

Aksi rrugor i unazës është i pakalueshëm për mjetet e vogla, kurse aksi rrugor Xhabije - Ura e Bunës është i vazhdon të jetë i përmbytur nga uji dhe është i kalueshëm vetëm nga mjetet e rënda të transportit.

Komuna Ana-Malit

Vazhdon të jetë e njëjta situatë përsa u përket nivelit të ujit. Janë transportuar 240 veta nga Shkodra në Murriqan e anasjelltas, si dhe nga Dajçi në Murriqan dhe anasjelltas.

Janë shpërndarë 5 ton ndihma ushqimore dhe 3 kamionë të tjerë po magazinohen, si dhe janë transportuar 2 ton ushqim nga Murriqani në Pentar.

Komuna Bushat

Ka rënie të nivelit të ujit me rreth 10 cm. Janë shpërndarë 3 varka me ndihma ushqimore, për banorët e zonave të përmbytura.

Komuna Bërdicë

Niveli i ujit ka pësuar rënie. Nuk ka filluar akoma shpërndarja e ndihmave, pasi pretendohet të shtohen këto ndihma dhe të realizohet shpërndarja e tyre njëherësh. Janë magazinuar 11 ton koncentrat dhe 3 makina me 850 pako ushqimore.

Komuna Dajç

Niveli i Ujit ka pësuar rënie me rreth 10 cm. Nuk ka filluar akoma shpërndarja e ndihmave ushqimore, por janë magazinuar rreth 8 helikopterë të ngarkuar me ndihma ushqimore.

Komuna Guri i Zi

Ka patur rënie të vogël të nivelit të Ujit në disa zona të përmbytura. Janë shpërndarë 200 ton miell dhe 200 pako me ndihma të ndryshme.

Komuna Velipojë

Niveli i Ujit është pothuajse i njëjtë me situatën e mëparshme. Janë shkarkuar 18 helikopterë me ndihma ushqimore të cilat u janë shpërndarë banorëve.

n.e/NOA

KOMENTE