Prishtinë, 11 dhjetor, NOA – Në vigjilje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të përgjithshme në Kosovë, e ndërkohë që sot në shtetin e ri po mbahet heshtja zgjedhore, policia e Kosovës ka bërë gati urdhrin operativ për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë gjatë procesit zgjedhor që do të mbahet të dielën në 12 dhjetor. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës bën të ditur se ky urdhër ishte hartuar kohë më parë.
Qëllimi i këtij plani operacional është që të krijojë një klimë të qetë dhe të sigurtë për të gjithë elektoratin dhe qytetarët e Kosovës, mirëmbajtjen e rendit, qetësisë publike dhe situatës së sigurisë në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
Sipas policisë së Kosovës në këtë drejtim është parashikuar që të sigurohen të gjitha depot komunale dhe Qendrës së Numërimit si dhe përcjelljes së sigurtë të materialit zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parashikuara.
Sipas këtij plani policia e Kosovës do të jetë përgjegjëse për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike.
Në rast nevoje PK do të mbështetet edhe nga EULEX-i dhe KFOR-i.
Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve ditën e nesërme policia e Kosovës ka angazhuar një numër të konsiderueshëm prej rreth 6000 zyrtarësh policorë të shpërndarë në tërë territorin e vendit, duke nisur nga njësitë patrulluese, njësitë hetimore e deri te njësitë e specializuara, që do të synojnë të ofrojnë mbështetje gjatë procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë ka njoftuar se të dielën do të çelen 746 qendra votimi me plot 2280 vendvotime në mbarë Kosovën.
mit/NOA