Më poshtë, intervistë e z.Bogdani
Tiranë, 12 Dhjetor 2010 NOA - Mbledhja vjetore e International Young Democrat Union (IYDU) që u zhvillua këto ditë zgjodhi si zëvendëspresident z. Gerti Bogdani, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD).
IYDU apo Bashkimi Ndërkombëtar i të Rinjve Demokratë u mblodh për zgjedhjen e Kryesisë së re. Ky takim u organizua nga Forumi Rinor i Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar dhe u përshëndet nga Kryeministri britanik David Cameron.
Në përfundim të punimeve të kësaj mbledhjeje, ku morën pjesë rreth 132 përfaqësues të forumeve rinore të partive të qendrës së djathtë nga 40 vende të ndryshme të botës, President i radhës u zgjodh z. Daniel Walther, nga Forumi Rinor i CDU-së në Gjermani, dhe zv.President z. Gerti Bogdani, Kryetar i FRPD dhe deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin Shqiptar.
Zgjedhja e z. Bogdani në strukturën drejtuese të IYDU-së vjen pas një angazhimi intensiv personal dhe të FRPD-së në aktivitete ndërkombëtare, duke marrë një rol aktiv në takimet e organizuara nga IYDU dhe duke ngritur lart imazhin e të rinjve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Në fjalën e tij përshëndetëse si drejtues i Kryesisë së sapozgjedhur, Presidenti i IYDU-së, z. Walther, u shpreh se “lidhja e veçantë e organizatave anëtare në IYDU, të cilat reflektojnë diversitetin e historive dhe kulturave të vendeve të tyre, është zotimi dhe angazhimi i përbashkët për promovimin e lirisë dhe demokracisë”.
IYDU përbën organizatën rinore të International Deocratic Union (IDU) apo Unionit Ndërkombëtar Demokrat, në të cilin Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Kryeministri Berisha, u anëtarësua me votim unanim më 26 Qershor 2008, gjatë takimit vjetor të organizuar nën drejtimin e Presidentit francez Nicolas Sarkozy.
Si një aleancë globale e forumeve rinore të partive të qendrës së djathtë, vizioni dhe puna e IYDU-së bazohet në promovimin dhe forcimin e parimeve dhe vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të ekonomisë së tregut. Themeluesja e kësaj organizate, ish-Kryeministrja Margaret Thatcher, e ka përshkruar rolin e IYDU-së si “shumë të rëndësishëm në përçimin, zbatimin dhe forcimin e lirive që kemi dhe të atyre që dëshirojmë të zhvillojmë ende më shumë kudo nëpër botë”.
e.r/NOA - Nëfoto: Bogdani pas zgjedhjes si zv/president
Lexoni intervistën e z.Bogdani