Shkodër, 12 dhjetor, NOA- Për ditë me radhë i zhytur në ujë dhe të ftohtë, më në fund qyteti i Shkodrës duket se do të shohë pak diell.
Ndalimi i reshjeve të shiut si dhe temperaturat e ulta, por të thata kanë bërë që pas gati 10 ditësh në këtë qytet niveli i ujit të bjerë ndjeshëm. Njëra pas tjetrës, rrugët po bëhen të kalueshme edhe pse për mjetet e rënda, megjithëse nuk mungojnë edhe ato të cilat nuk dihet se kur do të hapen.
E para zonë që e ka ndjerë ndryshimin duket se ka qenë fshati Guri i Zi, siç bën me dije korrespodenti i agjencisë së lajmeve NOA, rreth 2000 banorë janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Edhe niveli i ujit nga prurjet e hidrocentraleve ka rënë e për pasojë edhe shkarkimet. Kështu, prurjet në hidrocentralin e Vaut të Dejës kanë rënë 1300 m3/s dhe nuk ka rrezik për shkarkime masive. Autoritetet shëndetësore po asistojnë familjet që nuk janë evakuuar.
Ajo që është vënë në plan të parë është furnizimi me ushqime i banorëve të këtyre zonave.
Mësohet se nesër pritet të nisin mësimin 11 shkolla të cilat prej afro 10 ditësh ishin mbyllur si pasojë e kushteve të rënda që po përjetonte qyteti i Shkodrës.
a.y/NOA