English

Bogdani: Çfarë përfaqëson zgjedhja ime si zv/President i IYDU

Tiranë, 12 Dhjetor 2010 NOA - Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Gerti Bogdani, është zgjedhur më 3 dhjetor 2010 zëvendëspresident i International Young Democrat Union (IYDU), ose Bashkimi Ndërkombëtar i të Rinjve Demokratë u mblodh për zgjedhjen e Kryesisë së re.

Zgjedhja e z. Bogdani në strukturën drejtuese të IYDU-së vjen pas një angazhimi intensiv personal dhe të FRPD-së në aktivitete ndërkombëtare, duke marrë një rol aktiv në takimet e organizuara nga IYDU dhe duke ngritur lart imazhin e të rinjve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Duke folur për këtë detyrë që mori, z.Bogdani tha se votëbesimi i dhënë nga kongresi i IYDU-së në zgjedhjet e zhvilluara pasqyron forcimin e partneritetit të Partisë Demokratike të Shqipërisë me partitë simotra të spektrit të djathtë politik në rrafshin Europian dhe atë ndërkombëtar.

Më poshtë ndiqni intervistën e z.Bogdani

Z. Bogdani, si erdhi zgjedhja juaj si zv.President i IYDU-së dhe si e pritët ju atë?

Lajmin për zgjedhjen në Kryesinë e rradhës së IYDU-së e prita me gëzim të veçantë, pasi këto zgjedhje konfirmojnë edhë njëherë njohjen e arritjeve të qeverisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, roli i rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, avancimin e proçeseve integruese në Bashkimin Europian dhe finalizimin e liberalizimit e vizave. Them se ishte kënaqësi e veçantë pasi këto zgjedhje dëshmojnë për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare dhe konsolidimin e demokracisë në vend – dhe pra për përmbushjen e aspiratave të Studentëve të 8 Dhjetorit, të cilët rreth dy dekada më parë shembën regjimin komunist dhe hapën rrugën e rikthimit të Shqipërisë në Europë.

Si e vlerësoni këtë votëbesim që u dha në kongresin e IYDU?

Patjetër që votëbesimi i dhënë nga kongresi i IYDU-së në zgjedhjet e zhvilluara pasqyron forcimin e partneritetit të Partisë Demokratike të Shqipërisë me partitë simotra të spektrit të djathtë politik në rrafshin Europian dhe atë ndërkombëtar. Për më tepër, në këto zgjedhje vendimtar ka qenë edhe forcimi i profilit të marrëdhënieve ndërkombëtare të FRPD-së, si rezultat i mbështetjes së Kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha, për përfaqësimin dhe angazhimin aktiv të Forumit Rinor në aktivitete dhe nisma Europiane dhe ndërkombëtare të partive të djathta.

Çfarë rëndësie ka përfaqësimi i Shqipërisë në Kryesinë e IYDU-së?

Ky përfaqësim përbën një moment historik për Forumin Rinor, pasi FRPD është tashmë plotësisht e integruar në të gjitha organizmat e partive simotra europiane dhe botërore. FRPD është anëtare themeluese e organizatës Youth of the European People’s Party (YEPP) apo Të Rinjtë e Partive Popullore Europiane, ndërkohë që anëtarësimi në IYDU përbën shkallën më të lartë të integrimit të një organizate politike në formacionin ndërkombëtar të partive të djathta.

Si organizata rinore e Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU), IYDU përbën një strukturë të rëndësishme në skenën e politikës ndërkombëtare. Ndaj përfaqësimi në Kryesinë e kësaj organizate ofron mundësi për promovimin e rolit të Shqipërisë në axhendën e angazhimeve dhe nismave të partive të djathta në Europë dhe më gjerë në botë. Faktorizimi i vendit tonë në këtë drejtim ka kontribute të drejpërdrejta në forcimin e imazhit në opinionin ndërkombëtar dhe veçanërisht në avancimin e interesave kombëtare në kuadër të integrimit Europian.

Cilat do të jenë disa nga prioritetet tuaja në cilësinë e zv.Presidentit të IYDU-së?

Në fokus të angazhimit si pjesëtar i Kryesisë së radhës të IYDU-së do të jetë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor. Më konkretisht, synim parësor do të jetë përfshirja sa më e zgjeruar e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në axhendën e pasur të aktiviteteve të IYDU-së në mbështetje të forcimit të lidershipit të ri në politikë dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në politikë-bërje. Rritja e vëmendjes ndaj Shqipërisë do të sjellë mundësi të shtuara për t’u përfshirë në programe dhe nisma për FRPD-në dhe për ata të rinj të cilët aspirojnë të angazhohen në politikë.

Duke konsideruar peshën e madhe të partive të djathta në proçeset vendimmarrëse në kuadër të strukturave të Bashkimin Europian, pjesë e rëndësishme e punës sime do të jetë edhe konsolidimi i mëtejshëm i imazhit të Shqipërisë dhe avancimi i perspektivës së integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian. Dhe duke vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm që brezat e rinj lozin dhe do të luajnë në të ardhmen në këtë drejtim, me këtë rast ftoj të rinjtë shqiptarë që të bëhen pjesë e nismave të IYDU-së dhe Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

KOMENTE