Pas hulumtimesh e përsiatjesh, do të bindesh se fjala është kryesorja. Vendosja e saj në tekst është me përgjegjësi dhe kërkon shkathtësi mjeshtërore. Loja me të, ta kujton lojën e klaunit me flakë në tel. Fjala të mundëson çdo gjë: edhe kënaqësinë, edhe dëshpërimin. Duhet të kesh durim të të mos nënshtrojë ajo, të dish si të sillesh me të dhe të kuptosh se asgjë nuk është e përsosur
Nga Ali Podrimja
Në bisedën shteruese me Borhesin nga Osfalt Ferrare ishin prekur edhe proceset krijuese (1985). Vlen të përmenden dy konstatime: 1) Letërsi… do të thotë të shkruash misteriozisht ose në frymë profetike diçka, ta kalosh qëllimin e çastit dhe 2) Ferri është atdheu i abstraktes dhe i kërkesave të fatit.
Tek lexoja romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë” (Onufri, Tiranë, 2004) shpalosja faqe tronditëse mbi fatet njerëzore, ku hija e zymtë e shtetit represiv serb kishte fshehur thuaj çdo gjë; ke të bësh me njerëz nga një kohë gjenocidale. Një grusht i mbyllur shpirtrash në spitalin psikiatrik diku në Kosovë, më në fund shpërthejnë muret dhe shtresimi i mëtutjeshëm të një problemi tjetër: të shtetit, shpie te të zezat e tij, që janë nëntekst romanor.
Shteti represiv serb, i cili kishte ushtruar dhunë dhe kishte bërë çmos të realizojë ëndrrën e kahershme: Kosova të zbrazet edhe nga shqiptari i fundit dhe gjithçka të rrënohet. Nga ky pozicion racist u pa çështja e Kosovës tash e njëqind e pesëdhjetë vjet, e ushtruar më parë gjithandej Topolicës.
Ia vlen ta Lexoeni librin “Betejat e Topolicës” të Dimitrije Petroviqit. Disa vjet më vonë piramida e Shtetit ideologjik Shqiptar ishte bërë bezdisëse me retorikën e mugët. Të pranohej se ishte antikombëtar Fishta, i cili vendin e popullin i kishte ngritur në mit?! Mund të kapërcehej “Lahuta e Malcis” dhe të pajtohesh me etiketat e kuzhinës së diktaturës? Në vitin 1940 morën pjesë në varrimin e tij nga të gjitha trevat shqiptare. Në krye ishte dhe kremi i letrave shqipe.
Ata që kishin ardhur për ta përcjellë në udhëtimin e tij të fundit e dinin se kush kishte qenë Fishta, por gogolët e diktaturës nuk mund ta pranonin madhështinë e tij. Qëndrimi i tyre fyente dhe rrugëtimin historik të popullit. Akuzat ndaj veprës dhe personalitetit të tij, ishin absurde. Nuk kishin asgjë nga kodi ynë etik. Ishim pjellë e logjikës sllavo-otomane, e cila bënte çmos t’i shembte majat e kombit.
Komunikimi me opusin letrar të Fishtës është i rëndë, pakëz i trishtë por krenar. Shpalos ngjarje të mëdha të kohës së artë të shqiptarizmit, kur atdheu ishte mbi çdo gjë. Kujtojini heronjtë nga Lidhja e Prizrenit (1878), u ngjanin atyre të kohëve mitike. Ishin tubuar të mbronin çdo pëllëmbë të vendit, i cili po e humbiste gjeografinë historike. Fishta nuk mund të çonte dorë, se Lidhjen e Prizrenit e konsideronte ngjarje kombi. Si ta kapërdinte këtë Piramida ideologjike kur veten e mendonte të paprekshme, ndërsa propaganda e fqinjëve kryente punët e veta. Shqiptarët besonin se do të prajnë krrokamat e gëlltitësve, po qe se atë dhe bashkëmendimtarët e tij i rrokullisnim nga Panteoni shqiptar.
Në romanin në shqyrtim vërehet se Kraja ka bërë seleksionim detajesh dramatike, pikante, ku përfytyrohen dhe elemente fantastike. Para nesh kalojnë ndoshta fantastët e fundit të mileniumit të dytë. Pra, recepientin e hedh mes realitetit të hidhur dhe irreales. Shkas të elaborohet forca e verbër bëhet derdhja e spitalit psikiatrik dhe bredhjet e njerëzve mentalë kodrave të Malësisë së Reçakut, që t’i kujtojnë perënditë antike të vetmuar dhe të frikësuar. Përmes lëvizjeve marramendëse sheh rrënimin e një biçim shteti që fatkeqësisht ishte ngritur mbi krime e rrenë siç thotë baba i sërbizmit.
Ky është nënteksti kryesor i romanit, i cili shpaloset përmes individit dhe forcës së verbër. Ndeshemi me atë të mistershmen e shkrimit, që e theksonte Borhesi jo vetëm në bisedën e cituar. Mehmet Kraja ka dëshmuar edhe më parë për mjeshtëri të tekstit e guxim intelektual. Në romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë” poston në letrat shqipe diçka të veçantë e që të shtyn të grithësh, se deri ku mund të vete njeriu kur shfaqet e keqja.
Ky ishte ai turpi nacional nga i cili duhet të lirohemi. “Lahuta e Malcis”, në njëfarë mënyre ishte abetare historike. Të vetmin problem Magi e kishte ekzistencën e Shqipërisë. Kjo e bën të madh atë, ma të madhin ndër të mëdhenjtë. Kjo disi ma kujtonte dhe udhëtimin tim në Horën Arbëreshe, ku mbahej Simpoziumi me rastin e 500 vjetorit të ngulitjes së shqiptarëve në Jugun e Italisë. Pasi i kisha lexuar ca poezi me motive arbëreshe prifti i Kishës së Horës më ishte afruar dhe ma kishte dhuruar një ekzemplar të “Lahutës së Malcisë”. Gjesti i tij më kishte prekur. Nuk e kishte biznes patriotizmin.
Ngjarjet lemeritëse Fishta nuk pranonte t’i harrojë populli. Mu për këtë kishte lexues-dëgjues të shumtë. Këta duhet të njiheshin me të kaluarën e tyre, konkretisht me ngjarjet që i kishte për subjekt në “Lahutën e Malcis”, duke u dhënë atyre përmasa mitologjike. Prizreni ishte dhe metaforë. Nga të gjitha skajet e vendit kishte tubuar luftëtarë për të mbrojtur nderin dhe një copë tokë. Me rënien e diktaturës gjërat ndërruan.
Fishta i atdheut, u bë qytetar edhe i metropoleve. Toleranca ndërfetare mbetet njëra nga stolitë shqiptare. Fishta kishte respekt për besimet shqiptare. Figurat historike nuk mund d’i ndante në myslimanë e të krishterë. Në galerinë e tij kishte vend për të gjithë. Si dhe pse ndodhi te ne islamizmi dihet. Por ekziston frika se mund të vihet në pyetje lashtësia iliro-shqiptare. Pansllavizmi ka kohë që merret me të kaluarën dhe origjinën tonë, duke lansuar gënjeshtra gjithandej Evropës, pikërisht për lashtësinë dhe autoktoninë tonë. Ndodh luftë e heshtur për dominimin e hapësirës Ballkanike. Mirëpo, ne vazhdojmë të mbështesim se identiteti ynë mbetet ai evropian. Ky është realitet që nuk mund të ndërrohet për hir të askujt. Shkas ndoshta është njëra nga degët e besimeve tona që dëshmon për trungun nacional se kush jemi e nga vijmë. Të merremi tani me përkatësinë tonë të zgjidhur që në shekullin e nëntëmbëdhjetë nga rilindësit më bëhet se i fyejmë pararendësit tanë.
Më vrau fjala, kishte thënë poeti, magjistari, si e quan Oktavio Paz. Në laboratorin krijues ndodhte avari. Mund të dështonte ideja që rastësisht i kishte lindur tek kapte ndonjë çast nga jeta njerëzore. E kishte të qartë se çdo fjalë nuk arrihet as nuk mund të zërë vend në ngrehinën poetike. Ekzistonte ajo “largësia vigane” mes poetit e fjalës, për të cilën fliste Ungareti. Pra, më shumë se fjala asgjë nuk mund t’i nxjerrë probleme krijuesit, po qe se nuk e ka të qartë çfarë kërkon dhe çfarë dëshiron të “mjeshtërojë” me të. Për një fjalë ose një varg, poeti kishte pritur gjatë të kurorëzojë idenë.
Në aktin krijues nuk mund të hyjnë në përdorim bollëk gjërash. Reduktimi e seleksionimi i skajshëm, jo vetëm i elementeve shprehëse, nxit të pranohet madje edhe sakrifica. Markezi thotë: “Krijimi është një luftë mes fantazisë dhe arsyes”. Përballemi me atë ndjenjën vrastare në kërkimin e qenësores, magjikes.
Poeti si përçues e transmetues i fateve njerëzore, komunikon me lexuesin përmes shenjave e fjalëve çelës, sensibilitetit e botës imagjinative. Pranon të bëjë edhe ndonjë aventurë me plot të papritura për shkak të elementeve shprehëse, strukturës poetike, përsosjes, begatimit dhe harmonisë tekstore. Po ku fillonte historia, arti ynë i vërtetë? Tkurrja, para se gjithash, shpie në asgjësim.
E turpshme të pranohet, ta zëmë, se poezia jonë moderne fillon nga dje dhe të qiten në harresë Sibilat e Pjetër Bogdanit, të cilat edhe në ditë të sotme, pas katër shekujve mbeten filigran i të menduarit e të intelektualizmit shqiptar. Përkufizimet e ndryshme na nxirrnin gjithnjë më të vegjël e më të vonshëm në kontekstin historik dhe i lexon pak më ndryshe. Ai tani është variant i pagjumësisë sate, i shqetësimit tënd, i fjalëve tua.
Kamy thoshte: “Veprat e mëdha lindin shpesh në kthesën e një rruge ose në kthinat e një restoranti”. Unë nuk njoh kthesë më të madhe se kjo e jona: Nga një shoqëri totalitare me të gjitha shenjat e aparteidit i përgjakim ëndrrat për një jetë njerëzore. Në dhomën tënde, në shtratin tënd kalon natën me të panjohurën, ose në birucë të ndonjë kazamati mesjetar, nis punën e vështirë: Shkundjen e shpirtit nga hijet, lirimin e tekstit nga zvetënimet, teprimet. Nuk të dhimbsen as fjalët, pas të cilave ke vrapuar kushedi sa kohë.
Zhurmë e tyre të tmerron. Ke mësuar mjeshtërinë e shkrimit. Je një gjahtar i relikteve. Epitet, krahasimet, rimat i var në ndonjë tra të shtëpisë. Pikas idenë, përmbajtjen, motivin, formën. Traumat e përditshmërisë, lëvizjet shoqërore-politike-historike-mitike të ngacmojnë vazhdimisht nuk të lënë rehat. Thellë në natë dëgjon fishkëllimën e fjalëve tua. I mbyll veshët. Kamxhiku të mbështjellë nga maja e kokës deri te gishtërinjtë.
Pas hulumtimesh e përsiatjesh, do të bindesh se fjala është kryesorja. Vendosja e saj në tekst është me përgjegjësi dhe kërkon shkathtësi mjeshtërore. Loja me të, ta kujton lojën e klaunit me flakë në tel. Fjala të mundëson çdo gjë: edhe kënaqësinë, edhe dëshpërimin. Duhet të kesh durim të të mos nënshtrojë ajo, të dish si të sillesh me të dhe të kuptosh se asgjë nuk është e përsosur.
Danillo Kishi e kishte trilluar një varg: Shiko kohën si rrjedh. Në frymën e simbolistëve francezë përmes tij kishte krijuar pastaj një poezi, që ishte në të parë vetëm një lojëfjale. Në të vërtetë, Kishi ua tërhiqte vërejtjen krijuesve të rinj, se fjala është diçka magjike mundëson veprime të mëdha kur bie në dorë të mjeshtrit.
Gjatë projektimit ke harruar ta lësh një dritare nga faqja e Shkretëtirës. Dino Buxatin e ke dashur. Ose, pse dritaret i ke harruar të mbyllura nga ana e Liqenit të dërmitur. Nositin e Lasgushit ke ëndërruar ta mbyllësh në fjalë, ta shpëtosh nga grabitqarët. Bindesh se me të vërtetë duhesh vënë një rend të ri. Pas një kohe i kthehesh prap tekstit. Fillon riparimi, ndërtimi i gjërave. Dhe gjuetia e zogut, siç do të thoshte Danillo Kishi. Nga dita në ditë vëren konturat si zbulohen dhe nis e i lexon pak më ndryshe.
*Kumtesë e poetit Ali Podrimja e lexuar gjatë vizitës së Unionit të Shkrimtarëve të Kosovës në Francë