Së bashku me Kinën larg ceremonisë së dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe qëndruan edhe Rusia, Kazakistani, Kolumbia, Venezuela, Kuba, Tunizia, Maroku, Egjipti, Sudani, Arabia Saudite, Iraku, Irani, Afganistani, Pakistani, Sri Lanka, Vietnami, Philipinet. Ndonëse Serbia refuzoi pjesëmarrjen, përfaqësuesi i saj ishte i pranishëm në Oslo
Nga Matthias von Hein
Kur të premten në Oslo u nderua laureati i Paqes për vitin 2010, në vend të Liu Xiaobo ishte një karrige bosh, sepse Liu ndodhet në një burg kinez. Edhe në publik rreth 20 vende ishin të zbrazëta.
Së bashku me Kinën larg ceremonisë qëndruan edhe Rusia, Kazakistani, Kolumbia, Venezuela, Kuba, Tunizia, Maroku, Egjipti, Sudani, Arabia Saudite, Iraku, Irani, Afganistani, Pakistani, Sri Lanka, Vietnami, Philipinet.
65 shtete janë të përfaqësuara me ambasada në kryeqytetin norvegjez, Oslo. Në lidhje me ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel kanë marrë dy herë postë: Një herë ftesën zyrtare të komitetit norvegjez të Çmimit Nobel dhe një herë tjetër një letër të ambasadës kineze me kërkesën, që të qëndronin larg kësaj ceremonie. Geir Lundestad, drejtori i Institutit Nobel, konstaton: "Ne konstatojmë se kinezët këtë vit janë angazhuar shumë. Ata kërkonin, që sa më pak vende ta pranonin ftesën. Tani do ta shohim, se kush nuk vjen për arsye politike dhe kush për arsye të tjera".
Një vend (Algjeria) nuk është përgjigjur. 46 vende kanë pranuar. Por gjithsesi 18 shtete nuk dërguan përfaqësuesit e tyre në ceremoninë në Oslo. Për shumë shtete fjala është për interesa ekonomike, por ka prej tyre që ashtu si edhe Pekini kanë antipati për angazhimin e Perëndimit për të drejtat e njeriut. Janë një serë vendesh nga të gjitha anët e globit. Ndër to janë gjashtë shtete të botës arabe. Rainer Sollich, drejtues i programit arab të Deutsche Welles, thotë: "Këto janë të gjitha shtete, që kanë vetë disa probleme në sferën e të drejtave të njeriut dhe që veprojnë sipas motos: As ne nuk do të dëshironim që Kina të vinte në ceremoni, ku të nderohej dikush, të cilin ne e konsiderojmë kundërshtar të regjimit tonë. Gjithashtu është edhe ana ekonomike: Kina është bërë një faktor shumë i rëndësishëm në këtë rajon. Për shembull në Irak, Kina është investuesja më e madhe në industrinë e naftës dhe gazit".
Edhe Rusia e ka refuzuar ftesën e komitetit Nobel të Oslos. Mbrojtësi i të drejtave të njeriut Sergej Lukaschewskij drejton muzeun Andrej-Sacharo në Moskë. Ai ka këtë shpjegim: "Rusia dhe Kina janë anëtare të organizatës së bashkëpunimit Shangai. Një prej synimeve të saj është luftimi i të ashtuquajturit ekstremizëm. Në të vërtetë kjo do të thotë, që vendet të mbështesin njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për luftimin e grupimeve të padëshirueshme politike".
Ndonëse Serbia refuzoi pjesëmarrjen, përfaqësuesi i saj ishte i pranishëm në Oslo. Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, këmbëngul për të drejtat e njeriut. Por marrëdhëniet bilaterale me Kinën kanë këtu prioritet. Ndoshta këtu krahas arsyeve ekonomike luan rol edhe mbështetja, që Kina i jep Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.
Disa nga shtetet, që nuk do të marrin pjesë, ndodhen nën sanksionet e Perëndimit, si Sudani, Irani apo edhe Kuba. Ata i drejtojnë shpresat te Kina. Në mënyrë të ngjashme i është përgjigjur pyetjes edhe një punonjës i ambasadës së Kubës. Dhe ai tha se mund të merrni në telefon tek ambasada kineze.
Qëndrimi kinez për këtë çështje është i njohur. Në Pekin tonet kundër komitetit të Çmimit Nobel u ashpërsuan shumë ditët e fundit. Të martën (7.12.) zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Jiang Yu, u shpreh madje, se komiteti i Çmimit Nobel orkestron një farsë anti-kineze dhe vazhdoi:
"Ne nuk do ta ndërrojmë kursin tonë për shkak të përzierjes së disa klounëve. Nuk do të largohemi nga rruga jonë".
Ndërkohë, Kina ka çmimin e vet të paqes. Çmimi i Paqes së Konfucit u nda për herë të parë tani , një ditë para Çmimit Nobel të Paqes.