Minutë pas minute me zgjedhjet në Kosovë
Prishtinë, 13 Dhjetor 2010 NOA Update – “Tani Kosova pret që Bashkimi Evropian të flasë drejt dhe qartë për të ardhmen demokrate të Kosovës”. Kështu deklaroi sonte Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeministër në detyrë, Hashim Thaçi.
Ai doli pak para mesnate para qytetarëve në sheshin “21” në Prishtinë duke shpallur fitoren e partisë që drejton dhe njëkohësisht duke paralajmëruar se do të ketë sërish një koalicion qeverisës, pasi siç tha, populli i Kosovës zgjodhi që të gjitha forcat politike të punojnë së bashku.
“Fitorja është e jona, urime fitorja demokrate e Kosovës”, - tha z.Thaçi mes entuziazmit të një numri të konsiderueshëm të pranishmish, duke shtuar: “Fitorja jonë është referendum qytetar për qeverisjen e mirë të qeverisë demokratike të Kosovës është shpresë për vizionin tonë të së ardhmes.
Thaçi tha se procesi zgjedhor dëshmoi se ne jemi një vend demokratik që e meriton integrimin, duke theksuar se “ne dëshmuam se jemi vend demokratik ku qytetarët votojnë të lirë” dhe vazhdoi: “Presim që shumë shpejt të jemi vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian”.
Këtu Thaçi u angazhua se “unë jam krenar që të jem kryeministër i Kosovës që do të çojë në realizim aspiratat e Kosovës” duke nënkuptuar integrimin e vendit në NATO dhe BE.
“Sot foli qartë Kosova euroatlantike, foli vullneti i popullit të Kosovës”, - tha Thaçi duke theksuar se “Kosova foli qartë dhe njëzëri, ne shprehëm vullnetin tonë për vlerat evropiane”.
Kurse lëshoi dhe apelin publik ndaj diplomacisë evropiane: “Tani Kosova pret që Bashkimi Evropian të flasë drejt dhe qartë për të ardhmen demokrate të Kosovës”, - deklaroi kreu i PDK duke shtuar se shqiptarët e Kosovës votuan duke treguar se “Së pari është Kosova”, duke kujtuare kështu sloganin e partisë së tij në këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”.
Në fjalën e tij para të pranish,ëve, Thaçi theksoi se “Partia Demokratike ka shënuar një fitore të thellë dhe bindëse”, - duke përmendur dhe zonat ku ka fituar.
Ai tha se PDK ka shënuar fitore bindëse në Prizren, në Mitrovicë, në Gjilan, Suharekë, Ferizaj” dhe vijoi me një listë të gjatë lokalitetesh ku tha se PDK kishte dalë fituese duke shprehur për secilën falënderime të nxehta.
“Më lejoni t’i uroj mbarë shqiptarëve të Kosovës dhe kudo që janë, fitoren e vlerave euroatlantike”, tha më tej Thaçi.
Kreu i PD theksoi se “ne nuk fituam kundër askujt por fituam për Kosovën”. Thaçi paralajmëroi se do të ketë koalicion qeverisës kur tha se vota e Kosovës tregoi se të gjitha partitë duhet të punojnë së bashku, për të drejtuar vendin.
Në vijim z.Thaçi tha se “sonte Kosova edhe një herë dëshmoi se ne jemi shtet ligjor dhe i parimeve demokratike dhe këtë e dëshmuam duke shfrytëzuar të drejtën e votës së lirë”.
“Mesazhi i tyre, që gjithmonë ne e pranojmë, ishte shumë i qartë, që ne të bashkuar t’i tejkalojmë sfidat, t’i lëmë mënjanë ndasitë politike dhe ta çojmë Kosovën përpara”, - deklaroi Thaçi.
“Kur i lë mënjanë ndasitë politike, atëherë fiton Kosova”, deklaroi këtu kreu i PDK, duke theksuar se do të pranojë vullnetin e votuesve për të krijuar një koalicion qeverisës ku siç paralajmëroi, ai do të jetë sërish kryeministër.
Më tej Thaçi përmendi se gjatë tre viteve që kaluan, qeveria e drejtuar prej tij punoi për rindërtimin e vendit dhe u ndal në punën e kryer për infrastrukturën.
Thaçi tha se janë ulur taksat duke mundësuar që të hapen vende të reja pune.
Në përfundim, ovacionet e të pranishmëve u shoqëruan me muzikë ritmike për të vijuar festimin nga mbështetësit e PDK, të fitores në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
***
Sakaq, Fondacioni Gani Bobi është duke publikuar në këto çaste, rezultatet e exit-poll që ka realizuar gjatë ditës së sotme në territorin e Republikës së Kosovës në qendrat e votimit ku u votua për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Publikimin e të dhënave të sondazhit e bëri drejtuesi i Institutit për Studime Humanistike, Gani Bobi, Shkëlzen MaliqiSipas të dhënave të këtij sondazhi rezulton me fitore të ngushtë PDK e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi me 31 për qind të votave.
Menjëherë pas tij renditet LDK e drejtuar nga Isa Mustafa, me 6 për qind më pak ose 25 për qind se PDK dhe më tej vijojnë Lëvizja Vetëvendosje me 16 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 12.5 për qind.
Në këtë sondazh janë anketuar në të gjithë vendin 2200 vetë dhe marzhi i gabimit sipas fondacionit, është 2 deri në 3 për qind.
Në zgjedhje ishin thirrur për të votuar një milion e gjashtëqind mijë shtetas të Republikës së Kosovës. Paraprakisht, pjesëmarrja rezulton te jetë jo më shumë se 40 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës - 31 për qind të votave
Lidhja Demokratike e Kosovës - 25 për qind
Vetëvendosja - 16 për qind
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 12.5 për qind
Aleanca Kosova e Re – 6.5 për qind
Fryma e Re – 4.5 për qind
Lidhja Demokratike e Dardanisë – 2.5 për qind
Partitë tjera – 2 për qind
***
Më herët kryetarja e KQZ-së, valdete Daka bëri me dije se deri në orën 15.30 pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje ishte 34.10 për qind e të gjithë votuesve, pra 567 565 votues nga 1 milion e 600 mijë votues që ishin gjithsej.
Në këto zgjedhje votuesit në Kosovë kanë hedhur votën e tyre për 122 deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës, të cilët vijnë nga 29 subjekte politike në Kosovë.Në të gjithë Kosovën prej orës 07.00 të mëngjesit u hapën 746 qendra votimi me 2280 vendvotime.
Megjithatë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi më herët se qendrat e votimit në veri të Kosovës për arsye sigurie janë hapur në orën 09.00 dhe janë mbyllur në orën 16.00, pra tri orë më parë se të plotësohet orari zyrtar.
Janë 14 qendra të votimi të vendosura në veri të Kosovës, një zonë e banuar nga një shumicë serbe.
Procesi zgjedhor dhe ecuria e tij e metejshme në Kosovë po monitorohen nga mbi 32 mijë vëzhgues, nga të cilët 26 mijë janë pjesë e partive politike, 493 janë anëtarë të organizatave ndërkombëtare, 351 zyrtarë të ambasadave në Kosovë dhe mbi 5 mijë vëzhgues në terren vijnë nga organizatat joqeveritare.
Ndërkohë që mbi 6000 policë po mbikëqyrin situatën rreth qendrave të votimit për të siguruar mbarëvajtjen e tyre.
Pas mbylljes së qendrave të votimit në mbarë Kosovën, ka nisur edhe numërimi i votave.
Këto zgjedhje të përgjithshme, cilësohen historike për shtetin e ri, pasi janë të parat që zhvillohen pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të 2008-ës.
i.t/a.b/NOA
Reagon Vetevendosje:
{youtube}CyCGyLfyT1o{/youtube}