Rezultatet e sondazhit, fiton PDK
Prishtinë, 12 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – Ndërkohë që të gjitha qendrat e votimit në Kosovë pritet të mbyllen moment pas momenti në të gjithë vendin, posa të përfundojnë votimin edhe zgjedhësit e fundit, dhe të zyrtarizohet mbyllja e këtij procesi votimi nga KQZ, instituti “Gani Bobi” që drejtohet nga analisti kosovar Shkëlzen Maliqi pritet të bëjë publike menjëherë pas mbylljes së tyre rezultatet e para të Exit Polleve, për formacionet fituese në këto zgjedhje të përgjithshme në Kosovë. Më herët vetë kryetarja e KQZ-së, valdete Daka bëri me dije se deri në orën 15.30 pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje ishte 34.10 përqind e të gjithë votuesve, pra 567 565 votues nga 1 milion e 600 mijë votues që ishin gjithsej.
Në këto zgjedhje votuesit në Kosovë kanë hedhur votën e tyre për 122 deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës, të cilët vijnë nga 29 subjekte politike në Kosovë.
Në të gjithë Kosovën prej orës 07.00 të mëngjesit janë hapur 746 qendra votimi me 2280 vendvotime.
Megjithatë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi më herët se qendrat e votimit në veri të Kosovës për arsye sigurie janë hapur në orën 09.00 dhe janë mbyllur në orën 16.00, pra tri orë më parë se të plotësohet orari zyrtar.
Janë 14 qendra të votimi të vendosura në veri të Kosovës, një zonë e banuar nga një shumicë serbe.
Zgjedhjet në Kosovë po monitorohen nga mbi 32 mijë vëzhgues, nga të cilët 26 mijë janë pjesë e partive politike, 493 janë anëtarë të organizatave ndërkombëtare, 351 zyrtarë të ambasadave në Kosovë dhe mbi 5 mijë vëzhgues në terren vijnë nga organizatat joqeveritare.
Ndërkohë që mbi 6000 policë po mbikëqyrin situatën rreth qendrave të votimit për të siguruar mbarëvajtjen e tyre.
Pas mbylljes së qendrave të votimit në mbarë Kosovën, pritet të nisë edhe numërimi i votave.
KQZ, pritet të dalë në një konferencë për shtyp sonte në orën 20.00, ku do të japë të dhënat përfundimtare sa i përket përqindjeve të votuesvve në këto zgjedhje të përgjithshme, të cilat cilësohen historike për shtetin e ri, pasi janë të parat që zhvillohen pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të 2008-ës.
mit/NOA