English

Ngërçi politik, Haxhinasto: SHBA kërkon zgjidhjen e tij pa bojkotim të parlamentit

Tiranë, 12 dhjetor, NOA - Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto i sapokthyer nga një tur takimesh në SHBA-të, ku u takua edhe me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton deklaroi sot gjatë një konference të posaçme për shtyp se Shtetet e bashkuara të Amerikës mendojnë që zgjidhja e ngërçit politik duhet të bëhet vetëm brenda institucioneve dhe pa bojkotim të parlamentit. I pyetur gjatë kësaj konference lidhur me mënyrën si e gjykojnë SHBA-të tejzgjatjen e e krizës politike në Shqipëri, që po mban peng politikën në vend dhe votimin e disa ligjeve të rëndësishëm që prej mbarimit gati 18 muajsh pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kryediplomati Haxhinasto informoi se “Qëndrimi i SHBA-ve, që u shpreh edhe në këtë takim, është që në Shqipëri duhet të funksionojë dialogu politik institucional, pra që gjithçka në Shqipëri të diskutohet në mënyrë institucionale, brenda institucioneve, brenda parlamentit. Ata dënojnë çdo bojkotim të parlamentit, apo realizim të veprimtarisë politike jashtë institucioneve dhe sigurisht besojnë dhe vlerësojnë zgjidhjen e çështjeve të caktuara, të cilat nuk zgjidhen politikisht midis partive, në një sistem tjetër, që është sistemi ligjor, sistemi gjyqësor”, theksoi Haxhinasto.

Ministri i Punëve të Jashtme informoi se gjatë turit të tij në SHBA u takua me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, me senatorë, kongresmenë amerikanë, me përfaqësues të Komunitetit Shqiptar atje.

Ai e vlerësoi takimin me Sekretaren e Shtetit, Klinton, si ngjarjen më të rëndësishme të kësaj vizite.

“Në këtë takim është riafirmuar edhe një herë ajo që ne e quajmë aleanca strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kemi vlerësuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në kohën më të mirë të tyre, pra janë marrëdhënie të shkëlqyera. Kemi marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm nga Sekretarja Klinton dhe SHBA për rolin e jashtëzakonshëm, që luan Shqipëria si faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin, veçanërisht në angazhimin e saj në Afganistan. Gjithashtu, kemi marrë vlerësimin më pozitiv për rolin konstruktiv që Republika e Shqipërisë luan për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe integrimit midis vetes dhe BE-së”, tha Haxhinasto.

Sipas tij i rëndësishëm ishte koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta midis SHBA-ve dhe Shqipërisë për vendosjen e një dinamike të re për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe që do pasohet sigurisht me kontakte të tjera të vazhdueshme për këtë qëllim.

Haxhinasto tha se çështje shumë e rëndësishme e axhendës ishte edhe marrëdhëniet dy palëshe, ku sikundër tha ai është rënë dakort që shumë shpejt në fillim të vitit të ardhshëm të organizohen aktivitete të përbashkëta për thithjen e investitorëve strategjikë amerikanë në sektorë të rëndësishëm të vendit siç janë, energjia, turizmi, infrastruktura, etj.

Haxhinasto bëri me dije se Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, shprehu gatishmërinë e saj për të vizituar në të ardhmen Shqipërinë.

Pyetje: Zoti Ministër, keni zhvilluar takime në Gjermani dhe në Austri me përfaqësuesit më të lartë atje. Cili ka qenë mendimi i tyre për integrimin e Shqipërisë në BE?

Unë kam marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti “ASPEN” i cili këtë radhë zhvillohej nën kujdestarinë e ministrit gjerman të Punëve të Jashtme dhe atij austriak. Ka qenë një organizim që synonte të tregonte apo të jepte një mesazh shumë të qartë, se axhdenda e integrimit të rajonit është e hapur, si dhe gjithashtu që Gjermania dhe Austria do të jenë mbështetësit kryesorë të këtij procesi për Shqipërinë por dhe për gjithë vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe Kosovën. Edhe Kosova ishte e ftuar në këtë takim dhe bëri një paraqitje dinjitoze të vizionit të saj për integrimin e rajonit në BE. Ky ka qenë mesazhi kryesor i aktivitetit. Në kuadër të këtij aktiviteti, janë zhvilluar edhe takime dypalëshe me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme dhe atij austriak, ku në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kam marrë mbështetjen e tyre për integrimin e Shqipërisë në BE ku kam vlerësuar mbështetjen e tyre, kam vlerësuar të dy ministrat për mbështetjen e veçantë që kanë dhënë edhe Gjermania edhe Austria për liberalizimin e vizave dhe sigurisht, kemi diskutuar edhe çështje të rëndësishme të axhendës, kryesisht duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve ku si çështje themelore është tërheqja gjithmonë e më e madhe e investitorëve të këtyre vendeve, pra Gjermanisë dhe Austrisë për të investur në ekonominë shqiptare.

Pyetje: Zoti Ministër, sot mbahen zgjedhjet në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për situatën atje?

Unë dua të vlerësoj ecurinë e këtyre zgjedhjeve përsa i takon edhe fushatës parazgjedhore por edhe deri me tash, është treguar një maturi dhe pjekuri politike për tu respektuar që është në fund të fundit, një tregues i maturisë politike të vetë Kosovës dhe të gjithë politikës atje.

Pyetje: A jeni i kënaqur me ndihmat e NATO-s, pas takimit që ju zhvilluat me ambasadorët e huaj?

Sigurisht që pas mbledhjes ka pasur ndërhyrje të menjëhershme nga vende mike, nga Turqia, Italia, Greqia, Austria, Danimarka e shumë vende të tjera të cilat nëpërmjet rrugëve të tyre të komunikimit me Shqipërinë, pasi disa komunikojnë drejtpërdrejt, disa komunikojnë nëpërmjet organizatave të tjera, të Kryqit të Kuq, disa nëpërmjet organizatave joqeveritare, kanë kontribuar për të lehtësuar situatën e krijuar nga përmbytjet.

Pyetje: Zoti ministër, thatë që në takim keni diskutuar me kongresmenë amerikanë. Ç’farë keni diskutuar konkretisht?

Kam zhvilluar takime me Kongresmenë dhe me Senatorë. Mund të them se ajo që është e përbashkët e këtyre takimeve është një vëmendje e veçantë që kanë për Shqipërinë, është një vlerësim për kontributin e saj jo proporcional për mundësitë që ka në Afganistan, por edhe në përgjithësi për paqen dhe sigurinë. Nga Senatorët dhe kongresmenët pa përjashtim, Shqipëria konsiderohet si shembulli i zhvillimit dhe i suksesit, konsiderohet si një histori suksesi e cila gjithashtu, duhet të bëhet e njohur edhe për vendet e tjera se si një vend i vogël mund të arrijë të ketë një rritje të tillë të qëndrueshme edhe në kohë të krizës ekonomike dhe sigurisht, të vazhdojë axhendën e saj integruese e cila mbështetet fuqimisht edhe nga SHBA dhe në të njëjtën kohë të japë edhe kontribut për paqen e sigurinë në rajonin të cilit i përkasim në rajonin e Ballkanit por edhe përtej tij si në Afganistan, Irak, etj.

Pyetje: Zoti ministër ju thate se keni takuar dhe diasporen shqiptare, ç’mund të na thoni për këtë takim?

Diaspora shqiptare dhe organizata që e përfaqëson atje, jane nje shembull i shkelqyer i imazhit të Shqipërisë dhe jo vetem i Shqipërisë por i të gjithe shqiptareve qe jetojne ne rajonin e Ballkanit. Ato kane nje organizim i cili çdo ditë e më shume e ngre kete imazh dhe e çon atë më tej dhe sigurisht me ta kemi nenshkruar një marreveshje bashkepunimi midis Ministrisë së Jashtme dhe konkretisht te Këshillit shqiptaro-amerikan, dhe kemi identifikuar nje aktivitet te perbashkët që do të jete aktiviteti i prezantimit te Shqipërisë perpara biznesit amerikan me qellim tërheqjen e tyre ne ekonominë e Shqipërisë por edhe të gjithe rajonit te Ballkanit.

mit/NOA
KOMENTE