Për secilën parti politike në vend, e cila sot e pret fitoren, është e qartë se, vetëm duke qenë në shërbim të plotë të qytetarëve, pra, edhe të zgjedhësve, gjithnjë mbi moton, së pari Kosova, përkatësisht, së pari, fitore për Kosovën mund ta rimarrë, mund ta rifitojë besimin edhe për një mandat qeverisës, apo mund të vjen në pushtet qoftë së dyti apo së pari herë
Nga Prof. Dr. Agim Zogaj
Në Republikën e pavarur dhe demokratike të Kosovës sot po mbahen zgjedhjet e lira, nacionale. Në këtë çast, nëpër të cilin po kalon shteti ynë nuk është më e rëndësishme nëse këto zgjedhje janë të parakohshme dhe aq më pak, siç disa i cilësojnë, të jashtëzakonshme.
E rëndësishme është të kemi zgjedhje demokratike, zgjedhje me përmbajtjen e të cilave do të dëshmojmë se demokracia e re e Kosovës po përparon dhe se, liria në këtë shtet e ka kuptimin e lirisë universale ku, triumfon vullneti i sovranit.
Mbi të gjitha, e rëndësishme është se, fitorja, e mbështetur në demokracinë dhe vullnetin e zgjedhësve do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve të vendit, dhe jo vetëm e tërë spektrit politik dhe e institucioneve shtetërore, qeveritare dhe parlamentare.
Më 12 dhjetor 2010, nuk do të votojmë për t’i kënaqur partitë politike, liderët, por për t’i sjellë fitoren e re demokratike popullit, në shërbim të cilit duhet të jenë partitë politike, liderët e tyre, institucionet shtetërore, të gjithë ne, të bashkuar kudo që veprojmë.
Pra, nesër, e gjithë Kosova e ka rastin që, në frymën e motos, Së pari, Kosova vërtet të dëshmojë se, mbi të gjitha është shteti, e sotmja dhe e ardhmja e brezave të kësaj epoke. Për sa më shumë demokraci, për sa më shumë, shtet ligjor, për sa më shumë vende të reja pune, për sa më shumë tolerancë, për sa më shumë qytetari, për sa më shumë rrugë, shkolla, spitale të reja, për sa më shumë bashkëpunim me Shqipërinë dhe integrime evro-atlantike, për sa më pak raste të varfërisë dhe raste sociale, për sa më pak të pa punë, për sa më pak të pa strehë, për sa më pak të rinj që e kanë humbur shpresën e ardhmërisë, ky është kuptimi i përcaktimit, i zgjedhjes së më të mirit në mesin e më të mirëve.
Pra, të kuptuarit e drejtë të sloganit, Së pari Kosova, do të thotë se të gjithë ne, jo vetëm PDK, e cila garoi me këtë moto, në radhë të parë dhe mbi secilin interes tjetër do e kemi shtetin tonë, ndërtimin, përparimin, afirmimin e tij në shtet demokratik me integrime euro - properëndimor.
Kjo, nënkupton se, mbi të gjitha, qytetari, i cili edhe sipas kuptimit klasik të demokracisë do të jetë ai subjekt rreth të cilit sillet çdo mekanizëm i shtetit do të jetë në epiqendër të interesit shtetëror. Shteti, pra, edhe i Kosovës, sot dhe gjithmonë e më fuqishëm duhet t’i shërbej popullit, qytetarit dhe jo partive e grupeve politike.
Prandaj, kësaj radhe, në kontekst të premtimeve elektorale tek të gjithë subjektet garuese vërehet një qasje tjetër fare, më realiste, më afër interesave, synimeve, brengave, pritjeve të qytetarit.
Në këtë plan, krahas partive tjera politike që garojnë, dhe që i dhanë pamje demokratike fushatës zgjedhore, veçmas prin subjekti politik, PDK e cila, përmes liderit të saj, Thaçi elektoratit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës u ofroi, u shpalosi programin konkret për një Kosovë ndryshe, për një Kosovë e cila, edhe më fuqishëm se deri më tash do t’i shfrytëzojë potencialet e veta vendore për ta bërë jetën e qytetarit të Kosovës më të mirë, më të sigurt, më të lumtur më shpresëdhënëse, me të ardhme më të ndritur.
Thaçi, i cili për Qeverinë Thaçi 2 ka paralajmëruar një qeveri reformatore, elektoratit nuk iu paraqit vetëm në cilësi të kryetarit të PDK, por, edhe si kryeministër, me çka, sipas opinionistëve fitoi besimin jo vetëm të zgjedhësve të PDK-së.
Thaçi, i cili i dha fuqi moderne fushatës zgjedhore në vend, ofroi dhe garantoi projekte zhvillimore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa i ndarë ata sipas përcaktimeve partiake, ndërkohë që, për asnjë çast nuk u mor me rivalët politik, partiak.
Natyrisht, i ka takuar dhe i takon, që, si kryeministër i vendit, sa herë që i drejtohet popullit, pra, edhe në rastet e fushatave zgjedhore të përcjellë mesazhe bashkimi, urtie, vizioni dhe përkushtimi të vendosur për të mirën e të gjithë qytetarëve, për të gjithë fëmijët, pleqtë, të rinjtë dhe grup moshat tjera të Kosovës.
Në fakt, për secilën parti politike në vend, e cila sot e pret fitoren, është e qartë se, vetëm duke qenë në shërbim të plotë të qytetarëve, pra, edhe të zgjedhësve, gjithnjë mbi moton, së pari Kosova, përkatësisht, së pari, fitore për Kosovën mund ta rimarrë, mund ta rifitojë besimin edhe për një mandat qeverisës, apo mund të vjen në pushtet qoftë së dyti apo së pari herë.
Pra, vetëm me filozofinë politike, shumë të drejtpërdrejtë, po aq pragmatike, Së pari për Kosovën të gjithë qytetarët e Kosovës, rrjedhimisht institucionet e vendit edhe pas 12 dhjetorit 2010 mund të ecim së bashku drejt fuqizimit të standardeve perëndimore të shtetit ligjor, drejt evropaizimit të Kosovës dhe afrimit kah anëtarësimi i saj në BE dhe në NATO.
*Autori është ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës