Beograd, 12 dhjetor, NOA – Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë në këtë moment kur ende s’kanë nisur bisedimet teknike mes Kosovës dhe Beogradit, por edhe pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve që jetojnë në Kosovë, duket se po shqetëson jo pak autoritetet serbe, të cilat i tremben një ndarjeje mes komunitetit të tyre. Vetë Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën Oliver Ivanoviç e ka shprehur këtë frikë në një intervistë për një gazetë beogradase duke i kërkuar të gjithë serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet, pasi marrja pjesë sipas tij në këto votime do të thotë se serbët pranojnë shtetin e Kosovës, një ide të cilën qeveria serbe e konteston maksimalisht.
Sipas Ivanoviç kandidatët e serbëve të Kosovës, të cilët po përfaqësohen në këto zgjedhje kanë bërë gabim, ose kanë neglizhuar këtë politikë serbe, për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare.
E pikërisht duke folur për qytetarët serbë në zonat në Kosovë, pikërisht për ata që jetojnë në jug të lumit Ibër, të cilët kanë hedhur votën e tyre në këto zgjedhje, duke mos i vënë veshin qeverisë, Ivanoviç deklaroi se për këtë hap të ndërmarrë do të paguajë Beogradi zyrtar e jo serbët në veri të Kosovës, por vetëm ata që jetojnë në jug të lumit Ibër.
mit/NOA