Shkodër, 12 dhjetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është takuar sot me disa prej banorëve të strehuar në konvikte, pas evakuimit nga zonat e përmbytura.
Kryeparlamentarja është njohur me masat e marra për furnizimin me ushqime dhe ilaçe, si nga strukturat publike, ashtu dhe nga organizmat ndërkombëtarë.
Gjatë bisedës me banorët e strehuar në konvikte, këta të fundit vlerësuan angazhimin dhe përkujdesjen, si dhe ndihmat që po u jepen për përballimin e situatës së vështirë që po kalojnë.
Topalli ka takuar dhe një grup punonjësish të Emergjencave Civile, të ardhur nga krahina të ndryshme të Italisë, në ndihmë të Qarkut të Shkodrës.
Përfaqësuesit italianë theksuan se gjendja e fatkeqësisë natyrore që përfshiu Shkodrën nga reshjet dhe prurjet e shumta, po përballohet me nivel shumë të lartë profesionalizmi dhe përgjegjshmëria nga strukturat e shtetit dhe pushtetit lokal në Shkodër.
Topalli i falënderoi për kontributin shumë të rëndësishëm të Italisë, për përballimin e kësaj situate.
Gjatë bisedës, Jozefina Topalli theksoi se strukturat e policisë, ushtrisë dhe forcat speciale vijojnë pa ndërprerje ndërhyrjet, për rehabilitimin e të gjitha zonave të përmbytura, i dhe mbështetjen ndaj banorëve.
a.k/NOA