English

Vëzhguesit vendorë: Parregullsi në zgjedhje, presion ndaj votuesve e votime të dyfishta

Minutë pas minute me zgjedhjet në Kosovë

Prishtinë, 12 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – Kur zgjedhjet e jashtëzakonshme të përgjithshme në Kosovë, të parat pas shpalljes së Kosovës si shtet më vete e i Pavarur në 17 shkurt të vitit 2008, vëzhgohen nga më shumë se 32 mijë vëzhgues që monitorojnë nga afër procesin zgjedhor në të gjithë Kosovën, Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” i shpërndarë nëpër qendrat e votimit informoi se gjatë procesit zgjedhor ka patur parregullsi. Mediat kosovare duke cituar deklaratat e këtij rrjeti thonë se parregullsitë e vërejtura kanë të bëjnë me ushtrimin e presionit ndaj votuesve, ndërkohë që sikundër deklaroi edhe lideri i Vetëvendosjes, edhe nga ky rrjet është parë që votues të ndryshëm kanë votuar edhe dy apo tri herë nëpër qendra votimi.

Sipas rrjetit “Demokracia në veprim” deri pas mesditës kanë hedhur votën për kandidatët e rinj të Kuvendit të Kosovës 15.3 përqind e qytetarëve.

Më herët kreu i rrjetit të Organizatave Evropiane për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO), Zllatko Vujoviç ka inspektuar një qendër votimi pranë shkollës fillore “Faik Konica”, duke theksuar se këtu zgjedhjet po shkonin sipas standardeve dhe se procesi ishte i rregullt.

Por, Vujoviç nuk ka dashur të japë hollësi, duke deklaruar se rrjeti i ENEMO-s do të shprehë vlerësimin përfundimtar për zgjedhjet do të mund të mësohet në mbrëmje vonë kur të jenë mbyllur qendrat e votimit e të ketë nisur numërimi i fletëve të votimit.

Ndërkaq ai paralajmëroi se detaje të shumta do të publikohen nga ky rrjet në një konferencë të posaçme për mediat ditën e hënë.

Në të gjithë Kosovën prej orës 07.00 të mëngjesit janë hapur 746 qendra votimi me 2280 vendvotime.

Mes tyre janë edhe 14 qendra të votimi të vendosura në veri të Kosovës, një zonë e banuar nga një shumicë serbe.

Edhe pse krerët e serbëve në veri të Kosovës janë shprehur kundër pjesëmarrjes së tyre në këto votime, KQZ-ja kishte informuar qysh më parë se për pjesën e veriut të Kosovës janë marrë masat për implementimin e dy operacioneve të ndryshëm, siç janë aplikimi i vendvotimeve të lëvizshme në rast të moslejimit të hapjes së qendrave zyrtare.

Zgjedhjet në Kosovë monitorohen nga mbi 32 mijë vëzhgues, nga të cilët 26 mijë janë pjesë e partive politike, 493 janë anëtarë të organizatave ndërkombëtare, 351 zyrtarë të ambasadave në Kosovë dhe mbi 5 mijë vëzhgues në terren vijnë nga organizatat joqeveritare.

KOMENTE