English

Vrasje në Bulqizë, 33-vjeçari i merr jetën një klienti në lokal

Bulqizë, 12 Dhjetor 2010 NOA – Një vrasje ka ndodhur pasditen e sotme në rrethin e Bulqizës, me pasojë vdekjen e një burri, gjatë një grindjeje të çastit mes klientëve në një lokal.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se viktima është Skënder Cakonji, 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, lindur e banues në fshatin Bazë të rrethit të Matit.

Autor i dyshuar i krimit, është 33-vjeçari nga Martaneshi i Bulqizës, Allaman Isaku.

Burimet policore i thanë agjencisë NOA se ngjarja ndodhi sot në orën 15.30 në një kafene në fshatin Krastë të komunës Martanesh në Bulqizë.

Në lokal, në dy tavolina të ndryshme gjendeshin, në njërën, viktima Skënder Cakoni, baba i dy fëmijëve dhe në tjetrën, i riu Allaman Isaku 33 vjeç së bashku me kushëririn e tij.

Ka qenë një sherr mes viktimës dhe kushëririt të Allaman Isakut, e lindur në kafene, për motive banale të çastit.

Në këtë moment, Allaman Isaku është ngritur nga tavolina dhe i është afruar tavolinës ku gjendej Skënder Cakoni dhe e ka qëlluar atë tre herë me pistoletë në bark.

Viktima në gjendje të rëndë për jetën është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku nuk arriti dot të mbijetonte.

Policia tha se arriti të vërë në pranga autorin e dyshuar të krimit gjysmë ore pas ngjarjes.

e.r/NOA

KOMENTE