Tiranë, 13 dhjetor, NOA - Bashkia e Tiranës, krahas gjelbërimit të rrugëve kryesore të qytetit, vijoi sot gjelbërimin e hapësirave, brenda bllokut të banimit “Qemal Stafa”.
Duke folur mbi rëndësinë e shtimit të hapësirave të gjelbra, jo vetëm në rrugët kryesore të kryeqytetit, por edhe blloqet e banimit, për t’i bërë këto mjedise sociale sa më cilësore dhe për t’i vënë ato tërësisht në shërbim të komunitetit, kryebashkiaku Rama, u shpreh se ashtu siç ka bërë me dije, Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me mbjellje të reja pemësh dhe drurësh e shkurresh dekorative, për t’i bërë sa më cilësore mjediset sociale dhe për ta intensifikuar kudo përmasën e gjelbër të kryeqytetit.
Sipas saj, Tirana vit pas viti duket çdo herë e më pranë asaj që ne të gjithë dëshirojmë, megjithatë ka akoma shumë për të bërë.
“Ne jemi përgatitur që edhe në këtë stinë të re mbjelljesh, ta shtojmë dimensionin e gjelbër të kryeqytetit, duke shtuar me disa mijëra, rrënjët e pemëve, shkurreve dekorative, të drurëve që është e nevojshme të gjenden jo vetëm në akset kryesore, por edhe në të gjitha blloqet e banimit, për t’u dhënë mjediseve sociale një cilësi që të jetë sa më pranë dëshirave të komuniteteve”, shtoi ai.
Ky bllok banimi i rehabilituar ndodhet në lindje të qytetit të Tiranës, në Njësinë bashkiake nr.3 dhe ka një sipërfaqe të trajtuar, me të gjithë elementët e infrastrukturës, prej 6.5 ha.
Në projektin e rehabilitimit të infrastrukturës janë trajtuar kanalizimet e ujërave të zeza, me një gjatësi 1.900 ml, rrjeti i ujësjellësit, me gjatësi 2.100 ml, si dhe rrjeti i ndriçimit rrugor brenda bllokut.
Në këtë bllok është parashikuar shtimi i sipërfaqeve të gjelbra me 300 copë shkurre dekorative dhe pemë, të cilat janë kultivuar në serat e Ndërmarrjes së Gjelbërimit, në Bashkinë e Tiranës.
Kjo ndërhyrje do të bëjë të mundur gjelbërimin e sipërfaqeve përpara pallateve, duke i kthyer në lulishte e sheshe pushimi për të gjithë banorët e zonës.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës në këtë bllok banimi, krahas ndërhyrjeve transformuese si në zonat në qendër të kryeqytetit, ashtu edhe në zonat periferike, Bashkia e Tiranës synon të sensibilizojë dhe kërkon angazhimin e gjithsecilit, në procesin shumë të rëndësishëm të mirëmbajtjes të këtyre investimeve, me qëllim administrimin e përbashkët të qytetit dhe rritjen e cilësisë së jetës në komunitet.
Procesi i rëndësishëm i mirëmbajtjes vë theksin në domosdoshmërinë që të gjithë të jenë pjesë e respektit për mjedisin dhe ruajtjes së kësaj pasurie të përbashkët, duke filluar që nga mbajtja pastër, hapësirat që u duhen më të moshuarve, fëmijëve, të gjithë qytetarëve, përmirësimi i cilësisë së ambientit dhe pse jo favorizimi i kohezionit social në këto blloqe banimi.
n.e/NOA