English

BDSH: Zgjedhjet e Kosovës, të suksesshme

Shkup, 13 dhjetor, NOA - Bashkimi Demokratik Shqiptar ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për zgjedhjet e suksesshme parlamentare, të parat e këtij lloji në Kosovën e pavarur dhe sovrane.

“Shqiptarët edhe një herë dëshmuan se dinë të jenë organizatorë të zgjedhjeve të mirëfillta dhe demokratike dhe me këtë të hapin rrugën e integrimit të Republikës më të re në Ballkan, në strukturat euro-atlantike”, shkruan në një mesazh urimi të posaçëm, Bardhyl Mahmuti, kryetar i Bashkimi Demokratik Shqiptar.

Sipas BDSH-së, organizimi i zgjedhjeve të qeta dhe demokratike brenda një afati kaq të shkurtë kohor është vetëm për t’u përshëndetur.

“Autoritetet dhe Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, së bashku me qytetarët e Kosovës treguan pjekurinë politike dhe frymën demokratike e cila buron në Kosovë”, citon më tej deklarata në fjalë.

Në fund, Bashkimi Demokratik Shqiptar uron Partinë Demokratike të Kosovës si fitues të këtyre zgjedhjeve, dhe shpreson që në një afat të shpejtë kohor do të formojë qeverinë e re të Kosovës së pavarur e cila siç deri më tani, do të drejtojë vendin dhe do të përmbush aspiratat e qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë.

n.e/NOA

KOMENTE