English

BE: Zgjedhjet në Kosovë OK, tani sa më shpejt krijoni qeverinë e re

Prishtinë, 13 dhjetor, NOA – Kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ende nuk ka dalë me një rezultat zyrtar për zgjedhjet e jashtëzakonshme të përgjithshme të mbajtura dje në Kosovë, dhe kur kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi ka deklaruar që mbrëmë pas mesnate fitoren e PDK-së në këto zgjedhje, komisioneri për zgjerimin në BE, Stefan Fule dhe shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Ashton deklaruan sot në drekë se BE është e kënaqur me standardin e zgjedhjeve në Kosovë, duke i bërë thirrje autoriteteve të krijojnë sa më parë qeverinë e re dhe të vijojnë angazhimin për sfidat e reja në vijim. Ashton dhe Fule në një deklaratë të përbashkët theksuan se urojnë popullin e Kosovës për zgjedhjet e 12 dhjetorit, qetësinë dhe korrektesën e treguar në votimet e djeshme.

Sipas autoriteteve të BE-së, tashmë hapi i rëndësishëm është krijimi i qeverisë së re dhe përballja me sfidat në vijim, pasi sikundër ata thanë “Na pret shumë punë përpara në vitin që vjen, kur Kosova do të ecë përpara drejt integrimit në BE”.

Po sot në mesditë Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka bërë publike edhe rezultatet e numërimit të mbi 51 % votave, ku sipas këtij koalicioni zgjedhjet janë fituar nga Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi, i cili edhe pse nuk ka fituar bindshëm, premtoi një natë më parë se do të qeverisë në koalicion me partitë e vogla.

Edhe eurodeputetët që vëzhguan nga afër procesin zgjedhor thanë se përgjithëësisht procesi ishte i rregullt, përveç disa parregullsive të vogla.

Eurodeputetja Doris Pack u bëri thirrje kosovarëve që të respektojnë e besojnë institucionet.

Ndërsa eurodepeputetja Ulrike Lunacek, që është edhe raportuesja për Kosovën, tha se partitë politike duhet t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ankesat që kanë lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor në komunat e Skënderaj dhe Drenasit.

“Është e rëndësishme që qytetarët dhe partitë t’i drejtohen fillimisht PZAP-it për t’i paraqitur ankesat e tyre. Nëse ankesat nuk merren seriozisht ata duhet ta bëjnë publike dhe këtë. Ne do t’i dëgjojmë ata nëse sërish ka probleme dhe nëse nuk shqyrtohen ankesat”, tha eurodeputetja Lunaçek.

Delegacioni i PE-së që mbikëqyr zgjedhjet në Kosovë, udhëhiqet nga Doris Pack dhe përbëhet nga eurodeputetët Eduard Kukan, Jutta Steinruck, Ulrike Lunacek, Francesco de Angelis, Jelko Kacin dhe Fiona Hall.

KQZ bëri me dije se në Skënderaj kanë hedhur votën 93.68 përqind e qytetarëve, ndërsa në Drenas plot 86.94 përqind.

mit/NOA
KOMENTE