English

Berisha: Opozita le të protestojë, në 15 dhjetor shqiptarët të lirë drejt Europës

Tiranë, 13 dhjetor, NOA – Pas kthimit nga Shkodra ku ishte sot paradite për të parë nga afër situatën e përmbytjeve, kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se 15 dhjetori do t’u japë të gjithë shqiptarët mundësinë të lëvizin të lirë pa viza në Evropë. Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, shefi i mazhorancës theksoi se “Kjo datë e kjo ditë, dita e dinjitetit të madh të qytetarëve, sikundër e cilësoi kryeministri, u bë e mundur nga përpjekjet më serioze e të gjithanshme, nga reformat më të suksesshme, të cilat shembën çdo lloj paragjykimi”, tha kryeministri.

“Kjo ngjarje, ky akt përbën arritjen e dytë të madhe të jetës së qytetarëve shqiptarë, ku e para ishte shembja e diktaturës, shembja e murit të Berlinit edhe në Tiranë, 20 vjet më parë, po nga kjo forcë politike, PD e cila doli pas lëvizjes së dhjetorit ‘90”, nënvizoi kryeministri.

Kryeministri theksoi se pas datës 15 dhjetor, shqiptarët në tërësi dhe rina jonë do të mund të prekin trashëgiminë e madhe kulturore, djepin e kulturës evropiane, vendet dhe shoqëritë e lira, që krijuan Bashkimin Evropian, e që siç vlerësoi shefi i qeverisë, për ne shqiptarët është një pikë kyç për shkak të izolimit të së shkuarës komuniste.

Ai risolli në vëmendje se Shqipëria ishte ndër vendet më të izoluara, ku izolimi madje ishte edhe me tela me gjemba dhe ku lanë jetën e tyre në kërkim të lirisë dhe shpresës 51 të rinj e të reja të ekzekutuar në kufijtë e vendit, të cilët ekzistojnë edhe në dosjet e regjistrat e sigurimit.

“Më vjen ndërmend slogani ynë i vitit ’90 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, tha kryeministri Berisha duke risjellë ndërmend se këta djem e vajza vunë në rrezik jetën e tyre për një Europë që s’e kishin parë e shëtitur kurrë”.

“Është e jashtëzakonshme. Edhe vende të tjera kishin parë komunizëm, por vendet e ish-Jjugosllavisë, Çekisë, Hungarisë lëviznin të lirë nëpër Evropë, jo si tek ne nën tela me gjemba”, shtoi berisha.

Andaj argumentoi ai 15 dhjetori hyn në historinë tonë si një nga datat më të shënuara që ka liria.

Duke akuzuar opozitën ai tha se gjatë kësaj periudhe u përballëm edhe me një fushatë antikombëtare të bllokmenëve të rinj, që u përshkallëzua edhe para marrjes së vendimit për heqjen e vizave, pasi sipas Berishës në themel të bijve të komunistëve të vjetër ekziston përçmimi ndaj qytetarit dhe lirisë së tij.

“Këta njerëz u përpoqën, angazhuan një makineri të tërë dezinformimi, shkruan letra dhe bënë të pamundurën që të mos realizohej heqja e vizave”, tha Berisha.

E ndërsa opozita paralajmëroi rikthimin e protestave nesër në Durrës, kryeministri tha se “Pasnesër shqiptarët nisen të lirë në mbarë Europën, nesër bllokmenët e rinj protestojnë. Le të protestojnë sa të duan, shqiptarët do të lëvizin të lirë, se kjo është vepra e reformave tona, meritë e tyre”, tha Berisha, duke akuzuar kryesocialistin Rama si arkitektin e kësaj fushate që pasi nuk futi dot në kuti vizat e shqiptarëve, bëri gjithçka që t’i pengojë e t’i mashtrojë ata. Vijon...

mit/NOA
KOMENTE