English

Çifti Berisha viziton në maternitetin e Lezhës 21 vjeçaren nga Velipoja

Lezhë, 13 dhjetor, NOA/ Irma Toptani - Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha, vizituan sot në Lezhë 21 vjeçaren Violeta Marku nga Velipoja, e cila mbrëmjen e së shtunës solli në jetë një djalë, e asistuar edhe nga ekipi mjekësor gjatë lindjes së foshnjes së saj. Gjatë vizitës, Zonja Berisha i bëri disa dhurata Violetës për të birin, ndërsa kryeministri i uroi jetë të gjatë dhe të lumtur djalit të porsalindur të familjes Marku. “Zonja më thotë se kur varka nuk shkonte më tutje, banorët i kanë transportuar në krah së bashku me mamitë, sepse nuk kalohej. Kjo është vërtetë një sakrificë e madhe, por rezultati është i kënaqshëm”, theksoi kryeministri duke shprehur mirënjohjen për ekipin mjekësor, i cili mesnatën e së shtunës në një terren jashtëzakonisht të vështirë ia doli të arrijë në këtë familje, e të asistojë në lindje duke shpëtuar jetën e nënës e të foshnjës.

Në një prononcim për mediat shefi i qeverisë tha se “Violetës dhe djalit të saj dua t’u uroj jetë të gjatë, shëndet, gëzime, të rritet i lumtur me prindërit dhe gjithë familjen e tij. Mirënjohje shumë të madhe dua t’i shpreh ekipit mjekësor, i cili në mesnatë, me varkë dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrij në familjen e Violetës, të asistojë në lindjen e saj dhe të shpëtoje dy jetë, të nënës dhe të fëmijës. Kjo është një dhuratë e madhe që ky ekip, me sakrificën e tij, i bëri vendit dhe çdo qytetari. Në rast se Violeta nuk do të ndihmohej do të ishte brengë jashtëzakonisht e madhe”, u shpreh kryeministri.

Në kontekstin e emergjencës zoti Berisha ka falenderuar të gjithë ekipet mjekësore të vendit dhe të kësaj zone, të cilët i janë përgjigjur urgjencave në këtë situatë emergjence, ku zonat e qarkut të Shkodrës u shndërruan sikundër tha ai në liqen.

“Po të hedhësh sytë nga Torovica drejt Bushatit të krijohet përshtypja se një valëzim deti ndalon te diga e Torovicës. Të tilla janë përmasat e kësaj përmbytje, por edhe përpjekja jonë për të shmangur pasoja fatale mbi jetën e njerëzve është e jashtëzakonshme. Kjo vjen e para, të tjerat i zgjidhim”, tha kryeministri duke i uruar Violeta Markut dhe familjes së saj Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me një djalë si drita.

mit/NOA
KOMENTE