Tiranë, 13 dhjetor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi sot dokumentin e buxhetit 2011, i miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi.
Në këtë mënyrë, ai ka mbajtur qëndrimin kundër opozitës, e cila ka kërkuar ndryshime brenda tij, nën pretekstin e llogaritjeve që i duhen bërë në kuadrin e përmbytjeve dhe kostos që ato mbartin në vetvete.
“Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10 355, datë 02.12.2010 “Për buxhetin e vitit 2011”, citon Topi në vendimin e tij.
Pak ditë më parë, kryesocialisti Edi Rama doli në një konferencë për shtyp duke kërkuar rishikimin e buxhetit 2011, sipas tij, me argumentin se do të duhen shuma të konsiderueshme për menaxhimin dhe dëmshpërblimin e banorëve mbi përmbytjet.
Por mazhoranca e ka hedhur poshtë një pretendim të tillë, të ngritur prej tij.
n.e/NOA