English

Ina Rama: Lufta ndaj korrupsionit do të materializohet me produkt konkrete

Tiranë, 13 dhjetor, NOA – Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama paralajmëron arrestime në sektorin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në takimin që Rama ka zhvilluar me njësitë e specializuara kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit të Korçës, Vlorës, Fierit dhe Shkodrës, kryeprokurorja ka deklaruar se puna e këtyre strukturave duhet të sjellë rezultate konkrete.

“Znj. Ina Rama, duke shprehur dhe mbështetjen e plotë ndaj Njësive të specializuara, theksoi se tashmë ky sport duhet të materializohet me një produkt më të dukshëm të punës që po zhvillohet nga këto njësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik është jo vetëm një prioritet i Prokurorisë, por edhe një çështje sensitive në opinionin publik, ndaj njësitë e specializuara duhet të jenë më proaktive në punën e tyre duke u orientuar të nisin hetime kryesisht për çështje të ndryshme sipas dinamikës së ngjarjeve”, njofton zyra e shtypit të Prokurorit të Përgjithshme.

Kryeprokurorja gjatë këtyre takimeve ka theksuar se lufta ndaj veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, mbeten prioritet për organet e prokurorisë dhe suksesi ndaj tyre mund të arrihet nëpërmjet zbatimit të plotë dhe rigoroz të ligjit.

Gjatë takimeve të veçanta me njësite Rama ka theksuar se një rëndësi e veçantë duhet tu kushtohet rritjes së rolit të oficerëve të policisë gjyqësore pranë këtyre njësive në sigurimin e informacioneve për veprat penale të veprave të korrupsionit dhe krimit financiar.

a.k/NOA

KOMENTE