Tiranë, 13 dhjetor, NOA / Irma Toptani– Pas debateve të shumta në konferencën e kryetarëve sot nuk është arritur një konsensus nga mazhoranca dhe opozita për ngritjen komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të shkuar, i kërkuar nga opozita për t’u diskutuar në seancën parlamentare të së enjtes. Në një deklaratë të Kryesisë së Kuvendit, kjo e fundit bën me dije se ndonëse në mbledhjen e sotme grupi nismëtar nuk kishte bërë asnjë plotësim lidhur me përbërjen, Konferenca e Kryetarëve debatoi gjatë rreth kërkesës, ku u evidentua fakti se formulimi i pikës 3 të kërkesës së socialistëve për përbërjen e komisionit vjen në kundërshtim me ligjin e Komisioneve Hetimore.
“Raporti midis mazhorancës dhe opozitës në komisionin hetimor dhe përbërjen e tij është kriter formal- juridik, pa plotësimin e të cilit kërkesa nuk mund të vihet në lëvizje. Për këtë shkak, kërkesa iu kthye grupit nismëtar për plotësim dhe korrigjim”, thuhet në deklaratën e kryesisë së kuvendit.
Përfaqësuesit e mazhorancës shprehën gatishmërinë për të asistuar grupin nismëtar për formulimin e kësaj pike në përputhje me ligjin, me qëllim që t’i hapet rruga sa më shpejt ngritjes së Komisionit Hetimor.
Deputetët e pozitës dhe opozitës në konferencën e kryetarëve u ndanë edhe për datat e diskutimit të krijimit të komisionit hetimor në seancat plenare të 17.12.2010 dhe 23.12.2010, që është seanca e fundit e kuvendit për këtë vit.
Pritet që Kuvendi i Shqipërisë të caktojë datën e shqyrtimit në seancë të kësaj çështjeje, ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve do të rimblidhet sapo grupi nismëtar i PS-së të plotësojë dhe korrigjojë kërkesën fillestare.
Ndërkohë, kryesocialisti Edi Rama akuzoi sot mazhorancën dhe kreun e saj se sot në konferencën e kryetarëve refuzuan rishtas ringritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke mbajtur kështu peng zgjidhjen e krizës politike prej mëse 17 muajsh.