English

LDK kundërshton procesin e votimit në Skenderaj e Drenas

Prishtinë, 13 dhjetor, NOA - Shtabi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kontestuar procesin e votimit në komunën e Skenderajt dhe të Drenasit. Anëtari i këtij shtabi, Arben Gashi, tha se pjesëmarrja prej 94 për qind është e pamundur.

“Sipas rezultateve që na kanë ardhur nga KQZ-ja rezulton se në Skenderaj dhe në Drenas kanë votuar 94 për qind e njerëzve. Kjo është statistikisht e pamundur, logjikisht e papranueshme, ligjërisht e kontestueshme”, tha ai.

Gashi paralajmëroi se LDK-ja do të përdorë të gjitha mjete ligjore për mbrojtjen e demokracisë, e cila buron nga vota. “Nuk mund të lihet që demokracia në Kosovë të shkelet. Të thuhet se 94 për qind e popullsisë ka votuar është absolutisht e papranueshme”, tha ai.

Gashi paralajmëroi se LDK-ja do të paraqesë ankesë te organet kompetente. “Me gjithë këtë rezultat, LDK-ja akoma prin, por kjo pjesë do të kontestohet dhe do të bëhen ankesa në organet përkatëse. Ajo që ka dërguar KQZ-ja për Skenderajn dhe Drenasin është jologjike, andaj do të kontrollohet, verifikohet e pastaj do të ankohemi në rrugë ligjore”.

Gashi tha se asnjë parti politike nuk mund të shpallë fitoren. “Nuk ka hapësirë që të shpallet fitore nga askush. Nuk mund të shkelet mbi demokracinë, sepse demokracia duhet të vendoset nëpërmjet të drejtës së votës”.

a.k/NOA

KOMENTE