English

METE: Reforma, çdo ministri të ketë vetëm 1 inspektoriat.

Tiranë, 13 dhjetor, NOA - Numri i inspektoriateve do të reduktohet dhe çdo ministri të ketë vetëm një të tillë.

Kjo është reforma e re e paralajmëruar nga Ministria e Ekonomisë, publikuar sot në një takim me donatorët, ku u diskutua projektligji për Inspektimet.

Nga ana e tij, zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo e konsideroi si një reformë madhore atë që qeveria ka ndërmarrë në sistemin e inspektimit në vendin tonë.

Bozdo u shpreh se Task Forca ka vendosur për hartimin e një projektligji horizontal për sistemin e inspektimeve, i cili parashikon reduktimin e numrit të inspektoriateve dhe ngritjen e një Inspektoriati Qendror, me funksion monitorues dhe vlerësues për inspektoriatet e tjerë.

“Task Forca ka vendosur që të kemi një ligj horizontal për sistemin e inspektimit në Republikën e Shqipërisë, që numri i inspektoriateve të reduktohet, çdo ministri të ketë vetëm një inspektoriat.

Ka vendosur ngritjen e një institucioni, të paktë në numër por me një rol të madh, që do të jetë Inspektoriati Qendror, i cili do të ketë funksion monitorues dhe vlerësues”, tha Bozdo.

Ai theksoi më tej se, projektligji është i rëndësishëm sepse shënon një hap të madh cilësor në sistemin rregullator në vendin tonë dhe mer përsipër të adaptojë praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian në këtë drejtim.

n.e/NOA

KOMENTE