Tiranë, 13 dhjetor, NOA – Është nënshkruar sot në mjediset e MPJ-së, “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore për sigurimin shoqëror të shtetasve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Marrëveshja angazhon të dy institucionet, që në bashkëpunim mes tyre, të lehtësojnë sigurimin shoqëror vullnetar të shtetasve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Sipas marrëveshjes përfaqësitë diplomatike jashtë vendit do të mundësojnë njohjen e shtetasve shqiptarë me sigurimin shoqëror vullnetar në Republikën e Shqipërisë, ndërsa ISSH do të realizojë përfshirjen e tyre në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar. Marrëveshja u siglua nga Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi.
Të dy institucionet janë të njëmendta se ky bashkëpunim do të sjellë një ndihmë reale për ofrimin e shërbimeve efektive për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Në një një prononcim për mediat ministri Haxhinasto theksoi se “Kemi nënshkruar sot një marrëveshje mes Ministrisë së Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vendosjen e infrastrukturës së trupit diplomatik në shërbim të emigrantëve shqiptarë, përsa i takon sigurimit vullnetar të tyre si dhe përfitimit të sigurimit për periudhën që ata kanë kontribuar për sistemin e sigurimit shoqëror kur kanë punuar në Shqipëri. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme sa i takon përmirësimit të shërbimeve që qeveria shqiptare i ofron emigrantëve shqiptarë”.
Ai informoi gjithashtu se para pak ditësh MPJ realizoi një tjetër angazhim në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e kulturës shqiptare për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në emigracion.
Ministri i Punëve të Jashtme, tha ndërkaq se “në axhendën tonë të afërt kemi edhe hapjen e shtëpive të kulturës në ato vende ku ka përqendrime të komunitetit shqiptar si dhe angazhime të tjera të cilat, në fund të fundit, janë detyrim kushtetues i shtetit shqiptar ndaj të gjithë shqiptarëve në vendet ku ato jetojnë”.
mit/NOA