Shkodër, 13 dhjetor, NOA – Duke iu referuar të Shtabit të Emergjencës mbi situatën e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, që sollën 11 ditë më parë zhytjen nën ujë të mbi 14 mijë ha tokë, tashmë situata duket të jetë përmirësuar kur sipërfaqja e përmbytur është reduktuar nga tërheqja e ujit në plot 11 440 ha tokë e përmbytur dhe 4 660 banesa që gjenden krejtësisht nën ujë. Kryeministri Sali Berisha udhëtoi sot paradite drejt zonave të përmbytura dhe në mbledhjen e shtabit të emergjencës reflektoi përmirësimin e situatës duke theksuar se tashmë janë 3336 familje të evakuuara në ditët e pikut të përmbytjeve, të cilat dy ditët e fundit janë rikthyer në shtëpitë e tyre që ishin të rrethuara nga uji apo edhe të përmbytura.
Kur ende kanë mbetur pa u shlyer dëmet e përmbytjeve të fillimvitit në po të njëjtat zona të Shkodrës, por tashmë edhe më gjerë, shefi i qeverisë i ka garantuar banorët e përmbytjes se do të dëmshpërblehen për fatkeqësinë natyrore që pllakosi shtëpitë e tyre, Shkodrën mbarë, menjëherë pas matjes së dëmeve kur uji të tërhiqet tërësisht nga tokat e përmbytura.
Ndërkohë që moti nuk ka sjellë reshje shiu ditët e fundit në Shkodër, dhe në zonat ku uji është tërhequr forcat e ushtrisë po forcojnë argjinaturat e rrënuara nga përmbytjet, kryeministri Berisha siguroi se situata në Shkodër ndodhet nën kontroll.
Kryeministri tha se janë gati pesë projekte për parandalimin e përmbytjeve të tjera në qarkun e Shkodrës.
Ai falenderoi rishtas të gjithë shtetet që ndihmuan Shqipërinë në këto ditë emergjence, Kosovën, Turqinë, Greqinë, Italinë, SHBA-në, por edhe risolli në vëmendje kontributin e qytetarëve shqiptarë, biznesmenëve dhe politikanëve të ndryshëm që u solidarizuan me banorët e përmbytur.
Ashtu sikundër u mësua për shkak të përmirësimit të situatës në qarkun e Shkodrës por edhe në lagjet e përmbytura të qytetit uji ka nisur të tërhiqet dukshëm, andaj në disa procesi mësimor rifilloi në dymbëdhjetë shkolla 9-vjeçare dhe në gjashtë të mesme.
Uji mbetet ende prezent në lagjen Xhabije si dhe problematike mbetet lagjia e Livadheve më e përmbytura gjatë ditëve të emergjencës si dhe zona turistike pranë lumit Shirokë, të cilat janë edhe në këtë moment të izoluara nga uji.
Niveli i ujit mbetet ende i lartë deri në dy metra në komunat Dajç, Velipojë, fshatin Obot në komunën Ana e Malit, si dhe në Bërdicë e Bushat.
mit/NOA