English

Rama: Berisha pasi la në baltë shkodranët, refuzoi sot ngritjen e komisionit hetimor

Tiranë, 13 dhjetor, NOA/ Irma Toptani– Ndërkohë që shefi i mazhorancës Sali Berisha lajmëronte lëvizjen e lirë të shqiptarëve pas 15 dhjetorit duke akuzuar opozitën se bëri gjithçka për të minuar procesin, shefi i opozitës, Edi Rama ka akuzuar sot qeverinë Berisha dhe parlamentin se po zvarrit zgjidhjen e krizës politike duke sulmuar dhe refuzuar në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare përpjekjen mbi njëvjeçare të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Në një konferencë të posaçme për shtyp nga selia rozë, kryesocialisti Rama duke sjellë në vëmendje debatet e sotme mes depuetetëve të mazhorancës dhe opozitës theksoi se “Sot u refuzua sot përpjekja jonë për të ngritur komisionin hetimor. Pengesa pas pengesash, alibi pas alibish, mazhoranca po rreket me të gjitha mënyrat që ky proces transparence të ndalet, e të zvarritet pafundësisht dhe kjo qeveri të zhvatë pafundësisht qytetarët”.

Pas debatesh që zgjatën dy orë në konferencën e kryetarëve ku nuk u arrit një konsensus për datën se kur do të kalojë në parlament miratimi i komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i partisë Socialiste akuzoi mazhorancën se refuzoi të bënte pjesë të kalendarit të seancës parlamentare të së enjtes propozimin e PS-së për të rikthyer në parlament buxhetin e vitit 2011, pikërisht për masat që duhen marrë në këtë buxhet për ndaljen përfundimisht të përmbytjeve në zonën e Shkodrës.

“Shkodra u përmbyt për të pestën herë brenda një viti dhe për të pestën herë me radhë Saliu po përpiqet ta mbulojë këtë të keqe, që nuk është fatkeqësi e natyrës, por është pasojë e keqqeverisjes”, tha Rama.

Ai rishtas theksoi se “Saliu ka dështuar dhe pasi ka lënë në baltë shqiptarët dhe shkodranët, kërkon të rrijë në pushtet duke refuzuar përpjekjet për të ndalur përmbytjet, duke refuzuar propozimin tonë që e shpëton Shkodrën nga përmbytjet e radhës”.

Sipas Ramës bashkë me mocionin për debat, për raport progresin e KE-së që solli edhe refuzimin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, ky refuzim i sotëm tregon se në Shqipëri nuk ka shumicë të zgjedhur, por të vjedhur dhe është pikërisht kjo shumicë që nuk e do ndryshimin e buxhetit për të ulur përmbytjet në Shkodër por edhe në mbarë vendin.

Në këtë kontekst kryetari i PS-së, paralajmëroi se opozita do të rinisë nesër protestat nga Durrësi për të kërkuar largimin e Berishës, pasi ai po synon t’i rivjedhë shqiptarët me paturpësi edhe pasi i ka bërë sipas Ramës pjesë të një fatkeqësie natyrore, që flet në të vërtetë për papërgjegjshmërinë e qeverisë Berisha. Vijon..

mit/NOA
KOMENTE