English

Tërhiqet uji nga disa zona të përmbytura, ushtria vijon të mbrojë argjinaturat

Shkodër, 13 dhjetor, NOA – Pas përmirësimit të situatës së përmbytjeve në Shkodër, kur moti pa reshje ka sjellë për rrjedhojë edhe tërheqjen e ujit duke zvogëluar sipërfaqen e përmbytur të qarkut, në 11 440 ha tokë nën ujë, shtabi i emergjencave në Shkodër bën një pasqyrë të re të situatës së nivelit të ujit mbi kaskadën e lumenjve Drinë dhe Buna. Sipas të dhënave më të fundit niveli i ujit në liqenin e Shkodrës pranë urës së Bunës shënon kuotën absolute me 9.35 m; niveli i ujit në lumin Drin pranë urës së Bahçallëkut është 8.95 m; kuota në Dajç është 7.2 m; hidrovori në Velipojë po punon me kapacitet të plotë me kuotë -1.2 dhe prurjet në lumin Kir janë 50 m3/sek, e ato në lumin Gjadër janë 50 m3/sek.

Në bashkinë e Shkodrës gjatë ditës së sotme niveli i ujit ka rënë 10 deri në 20 cm. Vazhdojnë ende të jenë në ujë pjesërisht zonat e Kirasit (rruga për tek Bregu i Rërës), lagjia e Livadheve dhe lagjet Manush Alimani, Salo Halili, Ajasëm, Iliria, Bahçallëk dhe pjesërisht lagjia Shirokë, ku gjendet edhe pika turistike e Shirokës.

Po kështu, aksi rrugor i unazës është i kalueshëm për mjetet e vogla, ndërsa aksi rrugor Xhabije-Ura e Bunës vazhdon të jetë i pushtuar nga uji dhe aty mund të kalohet vetëm me mjete lundruese apo me mjetet e rënda të transportit.

Komuna Ana-Malit

Situata e nivelit të ujit në këtë komunë ka një përmiresim të vogël pasi niveli i ujit është ulur me rreth 5 cm brenda natës.

Aksi rrugor Zues – Muriqan është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve, ndërsa sa i përket zonave më të përmbytura si fshatrat Obot e Goricë, ata janë ende të izoluara nga uji duke e bërë të pakalueshme rrugën lidhëse me këto fshatra nga mjetet tokësore.

Komuna Bushat

Edhe këtu ka rënie të nivelit të ujit me rreth 15-20 cm, porse vazhdojne të jenë nën ujë rrugët lidhëse me fshatrat Trush i Poshtëm dhe Mali i Jushit.

Komuna Bërdicë

Niveli i Ujit ka pësuar rënie me rreth 7-10 cm. Aksi rrugor nga Harku i Bërdicës deri përtej fshatit Trush është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve, ndersa rruga për të shkuar në Dajç është e bllokuar dhe aty kalohet vetëm me mjete lundrimi.

Në komunën Dajç, më e përmbytura gjatë këtyre ditëve situata ka një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me një natë më parë, pasi uji ka pësuar rënie prej rreth 10-15 cm.

Këtu sipërfaqja nën ujë është rreth 80%, ndërsa akset që e lidhin komunën e Dajçit me fshatin Mushan dhe fshatin Suka e Dajçit janë të kalueshme me mjete të larta.

Akset rrugore që lidhin këtë komunë me komunat e tjera jane ende të pakalueshme me mjete tokesore.

Komuna Guri i Zi

Situata në këtë komune ka një përmiresim, sa i përket nivelit të ujit, i cili ka rënë plotësisht natën e fundit në zonat e përmbytura (Kuç, Rrenc dhe Vukatanë) dhe banorët kanë filluar të kthehen në banesat e tyre.

Komuna Velipojë

Niveli i Ujit është pothuajse i njëjtë me situatën e mëparshme duke patur një përmirësim të lehtë pasi uji ka pësuar një rënie të vogël me rreth 5 cm gjatë natës. Rrugët që lidhin Velipojën me Shkodrën vazhdojnë të jenë nën ujë, ndërsa rrugët e komunës nëpër fshatrat përreth janë të kalueshme.

Shtabi i emergjencave bën me dije se transporti me Shkodrën bëhet me mjete lundruese dhe nga ajri.

Policia e Shkodrës në bashkëpunim me forcat e ushtrisë vazhdojne të ruajnë dy argjinaturat e fshatrave Reç dhe Ças në Komunën e Velipojës.

mit/NOA
KOMENTE