English

Vetëvendosje: PDK vodhi kriminalisht votat (VIDEO)

Prishtinë, 13 dhjetor, NOA – Ndërsa ka deklaruar se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të përgjithshme në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar sot PDK-në se ka vjedhur kriminalisht gjatë procesit të numërimit votat për Vetëvendosjen duke ua shtuar ato artificialisht dhe në mënyrë të paligjshme votave për partitë e tjera.

Lëvizja Vetëvendosje pas shqyrtimit të imtësishëm të procesit zgjedhor ka vendosur që të mos pranojë dhe të mos njohë rezultatet në Deçan edhe në Malishevë, si edhe në Drenas e Skënderaj.

Sipas saj, në këto komuna përveç shformimeve të vullnetit të votuesit, problemeve me votimet e numërimet, zgjedhjet e djeshme janë karakterizuar nga brutaliteti dhe dhuna.

Në një deklaratë për mediat rreth orëve të drekës lëvizja për Vetëvendosje theksoi se “Kjo dhunë ka dëmtuar rëndë zgjedhjet, jo vetëm në dy-tre komuna, por proporcionalisht në të gjithë territorin e Kosovës.

Deri më tani Vetëvendosja ka faktuar 118 raste të dhunës, nga të cilat 23 janë dërguar në KQZ dje, e 16 të tjera po dërgohen sot. Prej këtyre rasteve, sot duam të denoncojmë publikisht flagrancën e djeshme në Malishevë e në Irzniq të Deçanit”, thanë përfaqësues të Vetëvendosjes.

Sipas tyre në Malishevë janë rrahur e kërcënuar aktivistët Hazir Krasniqi, Berat Krasniqi si dhe komisioneri Burim Berisha, ndërsa nga Deçani Dardan Molliqaj dhe Nol Nushi.

Mit/NOA

{youtube}rFsaqLvh7zk{/youtube}

KOMENTE