Tiranë, 13 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një konferencë për shtyp deklaroi sot finalizimin me sukses të operacionit të koduar “Ombrella” me arrestimin e katër personave dhe shpalljen e një të pesti në kërkim, të akuzuar për vjedhjen me dhunë të disa filialeve të bankave në kryeqytet. Drejtori i Policisë së kryeqytetit, bëri me dije se nga operacioni “Ombrella” janë arrestuar Fatjon Sami Deliu, 24 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes; Markeljano Izmir Nuro, 20 vjeç, i padënuar më parë; Gerald Sefer Gordi, 20 vjeç; Ervis Dilaver Domi, 22 vjeç, të katër banues në Tiranë, ndërkohë që është shpallur në kërkim policor shtetasi Admir Zyko, i dyshuar si bashkëautor në këtë vjedhje me armë.
Vocaj informoi se ky operacion u finalizua pas një hetimi 9 mujor të kryer nga Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë në Policinë e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës me përdorimin e gjerë të metodave speciale të hetimit.
Nga hetimi rezultoi se të arrestuarit në fjalë janë autorë të vjedhjes me armë të filialit të Bankës Kombëtare Tregtare, ngjarje e ndodhur më datë 17 shkurt 2010 në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.
Po kështu, këta shtetas janë të dyshuar dhe po zhvillohen hetime intesive për përfshirjen e tyre në bashkëpunim edhe me persona të tjerë në vjedhjet e bankave si vjedhjet e filialit NBG bankë ndodhur më datë 01.08.2008 në autosdradën Tiranë – Durrës; vjedhjen e filialit të Raiffaisen Bank, ndodhur më 26.12.2008, në rrugën “Vangjel Noti” në Laprakë; vjedhjen e Tirana – Bank, e ndodhur më datë 06.05.2010, në rrugën dytësore në krah të autostradës Tiranë – Durrës si dhe për për vjedhjen në 02.07.2010, të filialit të NBG Bank, ndodhur më 02.07.2010, në rrugën dytësore të autostradës Tiranë – Durrës.
Pas ndalimit të tyre, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete të përdorura nga autorët në këtë vjedhje me armë, fatura bankare të depozitimit të parave; veshje të përdorura gjatë ngjarjes, aparate celularë etj.
Drejtoi i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj siguroi se në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, janë marrë masa të posaçme për rritjen e masave të sigurisë në Bankat e Nivelit të dytë për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të aktivitetit të bankar.
Gjatë konferencës për shtyp, drejtori Vocaj iu përgjigj interesimit të mediave edhe për ngjarjen e mbrëmshme të ndodhur në lagjen “Tefta Tashko” në kryeqytet, ku mbrëmë në orët e natës një i sëmurë psikik kishte kërcënuar familjarët e tij me çifte.
Duke folur për ngjarjen në fjalë, Vocaj theksoi se policia për orë të tëra tentoi të zbuste situatën dhe u arrit që i sëmuri të ulte armën dhe më pas t’i dorëzohej një grupi specialistësh për kurimin e tij.
Sipas Vocaj nuk flitej për pengmarrje të familjarëve nga ana e të sëmurit, por ai vuante nga depresioni psikik dhe nga një ndjenjë e fortë persekutimi.
{youtube}obcYXoawVwE{/youtube}