English

Zv/kryeministri: Përmbytjet, qeveria do të llogarisë dhe shpërblejë çdo dëm

Tiranë, 13 dhjetor, NOA Update – Lidhur me përllogaritjet paraprake të dëmeve në zonat e përmbytura, gjithçka do të vlerësohet në mënyrë transparente dhe profesionale.

Kështu ka deklaruar zv/kryeministri Ilir Meta, duke shtuar se qeveria, është e vendosur t’i përballojë të gjitha detyrimet që ajo ka ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të përmbytur nga uji dhe këtë do ta bëjë me përgjegjësi dhe transparencë të plotë.

“Natyrisht që ky solidaritet, në radhë të parë, ka vlera të jashtëzakonshme morale. Është një tregues i një shoqërie të përgjegjshme dhe i një shoqërie me një sens të fortë human dhe njerëzor, dhe mendoj që ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për gjithë banorët, për gjithë qytetarët, për të gjithë bashkëpatriotët tanë që jetojnë në kushte vërtet mjaft kritike sot”, tha ai.

Ndërsa i pyetur në lidhje me kërkesën e opozitës për rishikimin e buxhetit për shkak të përmbytjeve, Meta shtoi se qeveria do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj me përgjegjësi, sikurse i ka përmbushur deri tani, ndërsa në garën e spekulimeve ata le të garojnë të vetëm.

“Askush nuk ka ndërmend t’i ndjekë. Ne kemi punë të mëdha për të bërë dhe po i bëjmë, me gjithë ata që duan sinqerisht të punojnë dhe të kontribuojnë për t’i ndihmuar këta qytetarë që të dalin nga kjo gjendje e vështirë dhe për të rehabilituar të gjitha pasojat që kjo situatë ka lënë apo mund të lërë”, përfundoi Meta lidhur me një çështje të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE