English

Zyrtarizohet nesër pakti me Malin e Zi për Bunën, Drinin dhe liqenin e Shkodrës

Shkodër, 13 dhjetor, NOA – Ministria shqiptare e Mjedisit, nënshkruan nesër me homologen e saj malazeze, marrëveshjen e mirëkuptimit për thellimin e shtratit të lumit Buna, riparimin e argjinaturave, si dhe marrjen e masave kundër përmbytjeve.

Nënshkruesit e tij, ministrat respektivë Fatmir Mediu dhe Milutin Simoviç, do të zyrtarizojnë kështu marrëveshjen, e cila vë në plan të parë rregullimin e regjimit ujor të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës, si dhe lumenjve të Bunës dhe Drinit, e cila ka një rendësi të madhe për zhvillimin e përgjithshëm të zonës ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Regjimi jo i favorshëm hidrologjik i liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës përbën gjithnjë e më tepër rrezik për përmbytjet dhe për këtë qëllim duhet të sigurohet një shkallë e nevojshme mbrojtëse në brigjet e tyre.

Prandaj palët bien dakort për të punuar bashkërisht për realizimin e përshpejtuar të projektit të rregullimit të regjimit ujor të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës, Bunës dhe Drinit.

“Për këtë qëllim, është e domosdoshme të hartohet Plani i Veprimit për parandalimin e qëndrueshëm të përmbytjeve në pellgun e liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës. Në kuadër të Planit të Veprimit do të përcaktohen masa afatshkurtra dhe masa afatgjata”, citon memorandumi.

Duke shtuar më tej pikat e veçanta si ajo e Komisionit të përbashkët shqiptaro-malazez për administrimin e ujërave dhe hartimin e dokumentacionit të projektit për rregullimin e shtratit të tij.

Ndërsa në masat afatgjata parashikohet hartimi i planeve të menaxhimit të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës, Bunës dhe Drinit; hartimi i projektit të plotë të regjimit ujor të liqenit të Shkodrës, Bunës, Drinit dhe degëve përkatëse të tyre; si edhe realizimin e masave dhe punimeve të përcaktuara me anë të projekteve.

n.e/NOA

KOMENTE