Uashington, 14 dhjetor, NOA - Ai ishte padyshim një argëtues, një këngëtar zëri unikal i të cilit magjepste miliona njerëz, Frank Sinatra. Më 12 dhjetor Sinatra, ose siç e quajnë atë amerikanët “ol' blue eyes“, do të mbushte 95 vjeç.
Francis Albert Sinatra lindi në vitin 1915 në qytezën Hoboken në Nju Xhërsi. Qëkurse ishte adoleshent ai nisi të këndojë nëpër klubet e qytetit të tij të lindjes kundrejt bakshisheve që i jepnin dashamirësit. Për shkak të qëndrimit të rrëmbyer atë e përjashtuan nga shkolla pak përpara përfundimit, gjë që nuk e shqetësoi aspak sepse ai ëndërronte të bëhej këngëtar.
Hapat e parë të karrierës Frank Sinatra i hodhi me kuartetin vokal The Hoboken Four, pak kohë më vonë ai debutoi solo në një lokal me një pagë prej 50 dollarësh në javë. Në vitin 1939 ai nënshkroi kontratë me Harry James, drejtues i një grupi muzikor dhe paskëtaj u publikua albumi i parë i Sinatras. Nga ky album u shitën 8000 kopje.
Sinatra prekte veçanërisht zemrat e tifozeve gra. Ai ishte i pari artist që shkaktoi histeri masive në vitet 1940: mijëra vajza të reja thërrisnin duke humbur ndienjat kur shikonin Sinatrën duke kënduar në skenë.
Në fillim të viteve 1950 nisi të shuhet shkëlqimi i Sinatras. Aferat e shumta me gratë dhe dyshimet për kontakte me mafian ia cënuan imazhin e fituar si njeri i pastër. Columbia Records anulloi kontratën dhe spektakli i parë televiziv i tij ishte një dështim. Ai e morri veten pas këtij dështimi të rëndë në karrierë me rolin në filmin klasik të Hollivudit "From Here to Eternity".
Frank Sinatra ishte një ndër artistët më të sukseshëm të kohës. Ai fitoi 18 herë Grammy dhe mendohet të ketë shitur rreth 800 milionë disqe në mbarë botën. Më 14 maj 1998 ai ndërroi jetë nga një atak kardiak. Në Las Vegas u shuan dritat për dhjetë minuta në nderim të tij.
DW