Këto ishin një pjesë e konstatimeve që evidentoi sot, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke dalë para mediave.
Sipas tij, rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje! ishte shumë i lartë por ai është dëmtuar rëndë: “Përqindja jonë është gjymtuar më së shumti. Dy lloj shkeljesh kryesore e masive u bënë: votimi i shumëfishtë i militantëve pasi që u siguruan që s’do të punojnë llambat verifikuese, dhe mbushja e kutive me vota të parapërgatitura pasi që diku i kërcënuan komisionerët, diku tjetër i rrahën e i dëbuan komisionerët nga vendvotimet e pati madje edhe vrasje në tentativë siç ishte rasti në Malishevë”.
Për Kurtin, Drenasi dhe Skënderaji janë dy shembuj ekstremë të dukurisë që ndodhi anekënd Kosovës: “Përqendrimi i problematizimit të shkeljeve vetëm në këto dy komuna ka për qëllim amnestimin e shkeljeve të mëdha nëpër shumë qendra të votimeve gjithkah nëpër Kosovë”.
Kurti theksoi se legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve është legjitimitet i hajnave dhe i dhunës dhe shtoi se “këso zgjedhjesh janë të papranueshme dhe rezultati i tyre është i kontestueshëm”.
Në këtë pikë ka ardhur dhe apeli: “Ne i bëjmë thirrje të gjithë faktorëve ndërkombëtarë që të mos njoftohen njëanshëm nga politikanët e regjimit dhe që të mos nguten në përkrahjen e këtij procesi zgjedhor sepse kështu mbështesin keqpërdorimet dhe manipulimet”.
Sipas Kurtit, manipulimet dhe vjedhjet në këto zgjedhje i bëri regjimi nga paniku që e kishte mbërthyer:
“Paniku i regjimit vjen më së shumti për shkak të rritjes së organizimit dhe anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ecën paralelisht me rritjen e zemërimit të qytetarëve. Këto padrejtësi që na janë bërë e demaskuan përfundimisht këtë regjim i cili po mundohet ta shuajë etjen me ujë deti. Këto zgjedhje, sikur asnjë deri tash, e kanë deligjitimuar regjimin”.
Kurse duke përfunduar, Kurti tha: “Tash secili qytetar i Kosovës e di se në çfarë mënyre dhe për çfarë arsye ekzistojnë dhe veprojnë këto struktura të regjimit. Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i kombinojë mjetet jashtëinstitucionale dhe ato institucionale për qëllimin e saj të njëjtë. Beteja vazhdon por ne tash jemi më të fortë se kurrë”.
a.b/NOA
{youtube}8SJmD25nTpY{/youtube}