Tiranë, 14 dhjetor, NOA – Liberalizimi i vizave për Shqipërinë është një proces i merituar. Kjo është deklarata që ka bërë sot ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë takimit me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.
“Ambasadori Arvizu vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian si dhe përshëndeti fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Z. Arvizu u shpreh se lëvizja e lirë nuk ishte dhuratë por frutë i përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra për përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Bashkimi Europian”, njofton Zyra e Shtypit e Ministrisë së Brendshme për takimin.
Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, Basha i shprehu Ambasadorit Arvizu mirënjohjen e veçantë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për kontributin dhe ndihmën e qeverisë së SHBA për modernizimin e policisë shqiptare.
Ministri e informoi diplomatin amerikan mbi rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të narkotikëve dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Gjithashtu, Basha ka folur dhe për situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër. Ai tha se për përballimin e situatës u angazhuan fuqimisht të gjitha strukturat shtetërore, të cilat po vijojnë punën e tyre në terren.
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu shprehu vullnetin e qeverisë amerikane për të promovuar dhe mbështetur forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri.
a.k/NOA