Tiranë, 14 dhjetor, NOA - Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka arritur të mbledhë nga bizneset 120 tonë ndihma për banorët e zonave të përmbytura në Shkodër.
“Ashtu sikurse shumë organizata të ndryshme vendase e të huaja, por dhe biznesmenë të cilët janë solidarizuar me situatën e përmbytjeve në verilindje të vendit, edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në të 12 qarqet e tij, ka arritur të grumbullojë një sasi prej mbi 120 ton ushqime për njerëz e kafshë, të cilat do t’i shpërndahen familjeve në nevojë në qarkun e Shkodrës”, thuhet në një njoftim për mediat të AKU.
Ndihmat ushqimore konsistojnë në produkte bazë ushqimore për njerëz të tilla si makarona, miell, oriz, sheqer, vaj, kripë, konserva mishi, mollë, vezë dhe ujë.
“Megjithatë duke qënë se dhe shumica e zonave të Nënshkodrës janë prekur nga përmbytjet, AKU ka menduar t’i vijë në ndihmë edhe blegtorisë duke kontribuar në produkte të këtij lloji, të tipit hime dhe produkte të tjera për bagëtinë”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër AKU përgëzon dhe falenderon përzemërsisht të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së këtij institucioni për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga përmbytjet, duke iu bashkëngjitur në këtë mënyrë të gjithë atyre fondacioneve, organizatave, OJQ-ve, e komunave të Shqipërisë, të cilat kanë dhënë tashmë kontributin e tyre në ushqime dhe ndihma të ndryshme.
a.k/NOA