English

Basha: Pas pak orësh shqiptarët lëvizin të lirë, Policia e Shtetit përmbushi detyrën

Tiranë, 14 dhjetor, NOA/ Irma Toptani - Disa orë para hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me BE-në për shqiptarët në hapësirën Shengen, që nënkupton që nga orët e para të 15 dhjetorit e në vijim shqiptarët do të lëvizin të lirë pa patur nëvojën për vizë në 27 vendet e BE-së, ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë analizës njëvjeçare të policisë vlerësoi uniformat blu, që gjatë 12 muajve të këtij viti policia arriti të menaxhojë me sukses situatat e përmbytjeve të fillimvitit në Shkodër, të plotësojë me përkushtim të lartë dhe pjesën e saj në kapitujt për siguri dhe drejtësi pjesë të pyetësorit të BE-së, që sipas Bashës përbënë një rol përcaktues në përmbushjen e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Basha theksoi gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet ku merrte pjesë edhe kryeministri Berisha se policia arriti të menaxhojë me sukses të plotë situatën e rendit dhe sigurisë, gjatë një periudhe të tejzgjatur protestash, ku uniformat blu u angazhuan dhe finalizuan me rezultate rekord fushatën parandaluese dhe shtrënguese kundër kultivimit të kanabis sativa, si dhe ndërmori një nga reformat më të thella strukturore në historinë e Policisë së Shtetit.

“Pas vetëm pak orësh qytetarët shqiptarë do të gëzojnë të drejtën e tyre të pamohueshme, lëvizjen e lirë pa viza në Europë. Për vetëm pak orë qytetarët e këtij vendi do të mund të prekin dhe shijojnë atë që kemi dëshirura dhe ëndërruar për aq kohë dhe që ju mohua brezave të tërë për dekada me radhë”, tha ministri i Brendshëm, duke theksuar se ky ishte një premtim i përmbushur i Qeverisë së Kryeministrit Berisha që sipas Bashës dëshmoi edhe për rolin e lirisë dhe dinjitetin europian të shqiptarëve.

“Viti 2010 shënon modernizimin dhe transformimin rrënjësor të platformave të policisë në çdo fushë, ku spikat përafrimi i standardeve të kufirit shqiptar dhe funksionimi i këtij kufiri sot në përputhje të plotë me praktikat Shengen, duke e bërë këtë hallkën e parë të shtetit shqiptar de fakto që punon si pjesë e Bashkimit Europian. Investimet e pakursyera të qeverisë shqiptare por dhe të partnerëve tanë kanë bërë të mundur ekzekutimin e plotë të filozofisë së integrimit dhe menaxhimit të kufijve nëpërmjet lidhjes dixhitale të të gjitha pikave të kalimit kufitar me qendrën e komandës dhe kontrollit këtu në Tiranë, për kontaktin pamor 24 orë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me bazat analoge të Interpolit, pra me një fjalë një revolucion të vërtetë teknologjik rezultatet e të cilit janë të dukshme në kufirin shqiptar, sot me veçori superiore jo vetëm ndaj kufijve rajonal por dhe ndaj shumë regjimeve kufitare anëtare të Bashkimit Europian”, vlerësoi ministri i Brendshëm.

Ai theksoi se platformat në luftën kundër krimit të organizuar, aplikimi dhe konsolidimi i hetimit proaktiv nëpërmjet përdorimit të intelegjencës kriminale flasin për një revolucion teknologjik të policisë,që bëri të mundur përmbysjen e raporteve midis hetimit proaktiv dhe reaktiv në luftën kundër krimit të organizuar.

Në këtë kuadër duke vlerësuar maksimalisht punën e bërë, tha Basha për vitin e ardhshëm mbetet prioritet kryesor konsolidimi i rreptë i nënkomisarëve për bërjen sa më efektive të kësaj skeme si dhe përparimi në fushën e përdorimit të teknologjisë, për të cilin Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare do të alokojë gjatë vitit të ardhshëm burime të mjaftueshme financiare për të aplikuar një projekt pilot të sistemit të vëzhgimit pamor, tërësor të qytetit të Tiranës, që do të shtrihet brenda vitit 2012 në të gjithë territorin e vendit.

Sipas ministrit të Brendshëm, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar spikatin reformat të tjera të rëndësishme, sidomos ligji “Antimafie”, krijimi dhe shtrirja në të gjithë vendin e strukturës së hetimit zhvillimit të aseteve kriminale, strukturë që vërtetohet tërësisht efektive sipas rezultateve që u vunë re sot këtu.

“Sfida mbetet konsilidimi i këtyre rezultateve dhe çuarja me sukses në bashkëpunim me prokurorinë para drejtësisë të të gjitha rasteve duke përfaqësuar objektivin kryesor të qeverisë, siç është lufta kundër të gjitha aseteve të krimit”, tha Basha.

Sipas tij këtë vit në territorin e vendit vetëm në verë qarkulluan mbi 400 mijë automjete, dhe u ul numri i viktimave në rrugë.

Basha theksoi se gatishmëria e Policisë së Shtetit bëri që sot vendi ynë të renditet në një nga pesë vendet më të suksesshme në raport me objektivat e angazhimit dhe aktivitetit tonë me INTERPOL si dhe do të jetë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që do të nënshkruajë marrëveshjen operative me EUROPOL, duke e bërë Policinë Shqiptare policinë e parë të Ballkanit Perëndimor që do të ulet me të drejta të plota në këtë tavolinë të rrumbullakët të policive evropiane.

“Përmbushja e pritshmërive për liberalizimin e vizave shndërron para nesh, para Policisë së Shtetit detyrën parësore për mbrojtjen me çdo kusht të kësaj të drejte që i përket çdo qytetari shqiptar, dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet zbatimit rigoroz të kushteve të lëvizjes së lirë të përcaktuar nga kodi Shengen. Policia Shqiptare, në veçanti policia e kufirit dhe migracionit, por dhe sektori i luftës kundër krimit të organizuar kanë një përgjegjësi të veçantë për të parandaluar, goditur çdo përpjekje për të abuzimet në këtë kuadër si dhe për të vazhduar fushatën informuese për qytetarët shqiptarë”, informoi Basha.

mit/NOA
KOMENTE